Facebook do të ofrojë mbështetje për imazhet në formatin GIF në kohështrirjen e përdoruesve. Njerëzit i përdorin shpesh këto imazhe të animuara GIF si një mënyrë për t’u shprehur në forume të ndryshme. Twitter ka një vit që e ofron këtë veçori tek rrjeti social. Ndërsa Facebook ka refuzuar që të ofrojë këtë veçori tek platforma e saj që mos të dukej kaotike kohështrirja e përdoruesve.
Megjithatë, kompania ka vendosur që tani t’i lejojë përdoruesit të postojnë imazhe GIF tek kohështrirja e tyre. Për momentin, përdoruesit e Facebook-ut do të kenë mundësi të postojnë vetëm lidhjet me imazhet GIF të shpërndara nga sajte të palëve të treta. Nuk është bërë e ditur akoma se kur do të mundësohet ngarkimi i këtyre imazheve GIF direkt tek rrjeti social. Kjo veçori e re do të jetë në dispozicion gjithashtu vetëm për përdoruesit e rregullt dhe jo për faqet apo reklamuesit.