Facebook do ti japë fund programi kërkimor kontrovers Facebook Research me pajisjet e Apple disa orë pasi u raportua se gjigandi i medias sociale ka paguar adoleshentët për të monitoruar përdorimin e smartfonëve.
Kompania prej kohësh ka një program i cili grumbullon të dhënat e përdoruesve nga vullnetarë me pagesë. Ky program është aktiv prej tre vitesh raportoi TechCrunch.
Aplikacioni Facebook Research App paguante vullnetarët e moshave 13 deri në 35 vjeç me 20 dollarë në muaj për të aksesuar të dhënat në telefonët e tyre.
Aplikacioni do të vijojë të jetë i disponueshëm në Android por jo në iOS.
Edhe në të kaluarën Facebook kishte grumbulluar të dhëna të ngjashme përmes Onavo Protect, një shërbim VPN që e bleu në 2013-ën.
Të dhënat e grumbulluara nga Onavo, Facebook i përdori për të identifikuar konkurrentët në fazat e hershme dhe më pas për ti blerë.
Aplikacioni Facebook Research kërkonte instalimin e një certifikate me privilegje “root” me të cilën mund të shikonte mesazhet private, e-mail-et, kërkimet në ueb dhe aktivitetin e shfletimit.
Kjo bie ndesh me politikat e Apple dhe funksionalitetin e sistemit operativ. Politikat ndalojnë instalimin e certifikatave në telefonët e përdoruesve.
Rrjeti social gjithashtu mohoi se Facebook Research të jetë zhvilluar për të zëvendësuar Onavo edhe pse kanë ngjashmëri në kod. /PCWorld Albanian