Exynos Auto V9 është procesori i parë i Samsung për makinat

E publikuar: 04/01/2019 01:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Samsung e nisi vitin me lajme të rëndësishme për industrinë e çipeve. Kompania prezantoi ditën e sotme Exynos Auto V9, procesorin e parë për makinat nën markën Exynos.

Kompania thotë se çipi Exynos Auto V9 është dizajnuar për sistemet infotainment të makinave dhe funksionon me disa ekrane njëherazi.

Gjigandi Koreano Jugor thotë se çipi do të shfaqet tek makinat Audi në 2021.

Lajmi është një sinjal i ambicies së Samsung për të diversifikuar biznesin e çipeve ndërsa kërkesa për smartfonë po bie.

Në tre mujorin e vitit të kaluar të ardhurat e Samsung nga ky divizion kishin rënë me 10 përqind.

Exynos Auto V9 është i bazuar në arkitekturën 8-nanometër dhe ka në përbërje gjeneratën e parë të bërthamave të reja Cortex-A76 me frekuencë 2.1Ghz dhe grafikat ARM Mali G76.

Krahas këtyre komponentëve, procesori do të ketë katër miniprocesorë audio HiFi 4 dhe një njësi të posaçme të inteligjencës artificiale. Ajo do të jetë përgjegjëse për funksionet e automatizuara të drejtimit të makinës.

Lëvizja tregon ekspansionin e Samsung drejt automobilave. Kompania është prodhuesi më i madh në botë i smartfonëve dhe dy vite më parë shokoi botën me blerjen e Harman International Industries. /PCWorld Albanian