Komuna e Gjakovës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shumta, lumenjtë në territorin e komunës së Gjakovës kanë shkaktuar vërshime. Siç bëhet e ditur, për menaxhimin e situatës tashmë është formuar Shtabi Lokal për Menaxhimin e Krizave, me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve përkatëse.
“Në disa lagje, si Dardania, Brekoci dhe Fshati i Gjelbërt, janë kryer evakuime të familjeve të prekura. Për familjet që kanë nevojë për strehim, komuna po kujdeset duke i akomoduar përkohësisht në banesat sociale. Zjarrfikësit janë në terren gjatë gjithë kohës duke ndihmuar qytetarët, ndërsa kompania ‘Çabrati’ po merret me pastrimin e urave dhe zonave më problematike. Situata po monitorohet edhe nga Policia e Kosovës, e cila konfirmon se gjendja është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz, por vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se të gjitha ekipet emergjente janë në gjendje gatishmërie.
“24 orët e ardhshme pritet të jenë më të ndjeshme, prandaj apelojmë tek qytetarët: Të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet pranë lumenjve. Të jenë vigjilentë dhe për çdo problem të njoftojnë ekipet emergjente, Policinë apo Zjarrfikësit”, thuhet në njoftim.
















