Evangjeli Veli shpallet kampione e Europës në peshëngritje

E publikuar: 29/05/2022 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tirana është shndërruar në kryeqendrën e sportit evropian. pas organizimit të suksesshëm të finales së Conference League, kryeqyteti shqiptar po mban edhe kampionatin evropian të Peshëngritjes dhe që në ditët e para të tij është dëgjuar himni shqiptar falë Evangjeli Velit që u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 55 kg për femra.

Veli bëri një paraqitje të shkëlqyer në këtë garim të saj teksa fitoi 2 medalje të arta dhe 1 të argjendtë, kjo për shkak të peshës trupore. Evangjeli Veli fitoi fillimisht medaljen e artë në stilin e shkëputjes ku i realizoi me sukses të trija provat për ta mbyllur atë me 95 kg duke lënë pas ukrainasen Konotop dhe belgen Stercks.

Rivaliteti mes këtyre 3 peshëngritëseve u pa edhe në stilin e shtytjes me velin që sërish i kaloi me sukses të trija provat duke e mbyllur me 113 kg garimin e saj, po aq sa edhe konotop që mori medaljen e artë në këtë stil për shkak të peshës trupore më të vogël.

Megjithatë kjo peshë i mjaftoi Evangjeli Velit që në dygarësh të fitojë medaljen e dytë të artë me 208 kg duke u shpallur përfundimisht kampione e Evropës duke e lënë Konotop në vendin e dytë me 207 kg dhe Stercks në vendin e tretë./tch/