Nga Lisbona në Moskë me një ndalesë në Stamboll në transmetikim ekskluziv të Supersport. Skënderbeut i duhet t’i bjerë kryq e tërthor kontinentit për të kompletuar fazën e grupeve të Europa League ku u shortua në grupin H me tre emra të mëdhenj, Sportingun e Lisbonës, Lokomotivën e Moskës dhe Besiktasin. Në shortin e hedhur në Montecarlo dora e Alexander Frai e vendosi Skënderbeun e vazos së katërt me tre skuadra të njohura europiane dhe në letër dukshëm më të favorizuara.
Kampionët e Shqipërisë duhet të bëjnë llogaritë me legjendarët portugezë të drejtuar nga Jorge Jesus, të cilët nuk arritën të siguronin biletën e grupeve të Europa League pasi u eliminuan nga CSKA-ja e Moskës, ndërsa Besiktash vjen në këtë kompeticion si skuadra që është renditur e treta në kampionatin turk. Kockë e fortë për korçarët do të jenë edhe rusët e Lokomotivës së Moskës, të cilët kanë në përbërje disa lojtarë të Kombëtares. Ndeshjet e para të grupeve do të luhen në datën 17 Shtator ku Skëndërbeu do të presë në “Elbasan Arena” Besiktasin. Në 1 Tetor, korçarët udhëtojnë drejt Moskës për të sfiduar Lokomotivën, ndërsa 21 ditë më pas do të luajnë një tjetër transfertë të vështirë në Lisbonë kundër Sportingut.
Ndeshja e kthimit mes portugezëve dhe kampionëve të Shqipërisë është caktuar në datën 5 Nëntor, ndërsa në 26 Nëntor djemtë e Josës sfidojnë Besiktasin në Stamboll. fazën e grupeve të Europa League, bardhekluqtë do ta mbyllin në “Elbasan Arena” kundër Lokomotivës së Moskës. Dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen për në fazën e 1/16 ku do të shortohen edhe 8 skuadrat e treta të grupeve të Champions League. /ss/