Eurodeputeti austriak: Qeveria duhet të ketë agjendë të qartë për dialogun

E publikuar: 29/03/2025 10:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lukas Mandl

Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl. 

Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.

“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare”. 

“Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.

Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Mandl pret nga institucionet vendore që të ndërmerren reforma në Kosovë.

“Mund të them vetëm se çdo qeveri do të duhet të ndërtojë ura kudo në botë dhe do të duhet të ndërmarrë reforma brenda vendit për të mirën e përbashkët, për të mirën e popullit. Gjithashtu, mendoj se në çdo parti politike në Kosovë ka njerëz të besueshëm dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deputetë të sapo-zgjedhur që janë të besueshëm dhe të aftë dhe ata do të gjejnë zgjidhje të shkëlqyera për të ardhmen. Ky është besimi im në këtë shtet të ri të Evropës dhe në popullin e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.

Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl është optimist se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të angazhohet për dialog pozitiv mes Kosovës dhe Serbisë.