Serbia konfirmon sërish se është skuadra për t’u mundur në edicionin e 39 të kampionatit evropian teksa i jep një leksion të mirëfilltë basketbolli Italisë së Simone Pianigiani-t. Nga sa është parë deri tani në fazën e grupeve nënkampionët e botës janë skuadra më e kompletuar e këtij aktiviteti duke treguar qëndrueshmëri, forcë fizike, karakter dhe mbi të gjitha tepër klas. Në takimin përmbyllës të Grupit B, në Mercedes – Benz Arena të Berlinit ekipi i Sasha Djordjevic e nisi sfidën në mënyrën më të mirë të mundshme duke udhëhequr 8-0, ndërsa në vazhdim falë lojës së shkëlqyer të Milos Teodosic Serbia kryesoi deri në 13 pikë diferencë. Kapiteni i skuadrës ishte i papërmbajtshëm në periodën e parë dhe e mbylli 10′ e parë me plot 14 pikë dhe 5 asist, duke humbur vetëm një gjuajtje gjithsej nga loja. Pasi fitoi periodën e parë 25 – 19 në 10′ e dytë Italia reagoi pozitivisht duke e ngushtuar disavantazhin në vetëm 2 pikë, sidoqoftë ndonëse u ngarkua shpejt me shumë gabime personale skuadra e Aleksandar Djordjevic u shkëput përsëri duke prekur sërish avantazhin maksimal të 13 pikëve, për të mbyllur më pas pjesën e parë me epërsinë 48 – 40. Me 3 fitore në 4 takimet e para Italia kërkonte fitoren për të mbyllur grupin në vendin e parë, megjithatë ishte thjesht një mision i pamundur pasi skuadrës së Pianigiani-t i mungoi forca për të reaguar dhe Serbia dominoi ndeshjen, deri në atë pikë sa me kalimin e minutave u kuptuan qartë edhe diferencat e mëdha mes këtyre dy ekipeve. Sikur të mos mjaftonte mungesa e lojtarit të Fenerbahce-s Luigi Datome influencoi ndjeshëm edhe mungesa e basketbollistit të Sacramento Kings Marco Belinelli i cili qëndroi i ulur në stol dhe nuk zbriti në parket për shkak të lodhjes muskulore, një zgjedhje e trajnerit kjo për ta patur të shplodhur 29-vjecarin në ndeshjet e fazës së 1/8-ve. Pasi shkoi deri në 22 pikë avantazh Serbia e mbylli përfundimisht takimin me rezultatin e thellë 101 – 82, por interesant është fakti që Italia nuk pësonte më tepër se 100 pikë në një ndeshje zyrtare që nga faza kualifikuese për Lojërat Olimpike të Barcelonës, në vitin e largët 1992. Përsa i përket takimit Milos Teodosic ishte lojtari më i mirë i ndeshjes me 26 pikë dhe 8 asist në vetëm 27′ lojë. Nemanja Bjelica i Minnesota Timberwolves kontribuoi me 19 pikë e 8 rebound ndërkaq në krahun tjetër dy basketbollistët italianë që luajnë përtej oqeanit Bargnani dhe Gallinari realizuan respektivisht nga 17 dhe 14 pikë, gjithsesi më i miri për ekipin e Pianigiani-t ishte Alessandro Gentile me 19 pikë dhe 6 asist. Ndeshjet e turit të ardhshëm, pra të fazës me eliminim të drejtpërdrejtë do të zhvillohen në stadiumin e Lilles Pierre – Mauroy dhe Serbia pasi fitoi Grupin B do të ndeshet më 13 shtator me të katërtën e Grupit A, Finlandën.