Anglia njeh vetëm fitore në eliminatore. Kombëtarja e 3 luanëve arriti të përmbysë Slloveninë në transfertë duke marrë fitoren e 6-të në po kaq ndeshje në Grupin E dhe tashmë vetëm matematika nuk e lejon që të konsiderohet si e kualifikuara e parë për në Europian. Pavarësisht se ekipi i Hodgson nuk e nisi mirë ndeshjen, pasi u ndëshkua në minutën e 38-të nga Novakovic, në pjesën e dytë arriti të kthejë rezultatin në favor falë dhe një dygolëshi të Wilshire. Pecnik në të 84-trën barazoi sërish rezultatin por anglezët nuk u mjaftuan me vetëm 1 pikë dhe 2 minuta më pas shënuan dhe golin e fitores me Rooney.
Shaqiri i dha fitoren Zvicrës me një gol të tijin në minutën e 84-tërt, me helvetët që triumfuan 2-1 ndaj Lituanisë në transfertë duke qenë tashmë të vetëm në vendin e dytë. Në takimin tjetër të grupit Estonia arriti të fitonte 2-0 me San Marinon duke qenë ende në garë për vendin e tretë. Austria gjithashtu blindoi vendin e parë në Grupin G pasi fitoi falë një goli të mrekulleshëm me roveshatë të Jankos ndaj Rusisë në transfertë, që vazhdon të qëndrojë në vendin e tretë.
Nga humbja Rusisë përfitoi dhe Suedia që mundi 3-1 Malin e Zi, me dy gola të Ibrahimovic dhe një të Berg. Në sfidën tjetër Lihtenshtein barazoi 1-1 në shtëpi me Moldavinë, që vazhdon të mbajë vendin e fundit. Ukraina fitoi pastër 3-0 ndaj Luksemburgut në grupin C duke zgjidhur gjithcka në pjesën e dytë me finalizimet e Kravets, Gramas dhe Konopljanka.
Spanjës i mjaftoi një gol i David Silvës në të 45-tën për të mundur në transfertë Bjellorusinë duke ruajtur vendin e dytë në grup. Ndërkohë që në krye qëndron Sllovakia që triumfoi 2-1 ndaj Maqedonisë, ku golin për këta të fundit e shënoi shqiptari Ademi.