“Euro 2016″ flet më shumë Shqip

E publikuar: 18/11/2015 20:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ai i verës së ardhshme në Francë do të jetë një kampionat Europian që do të flasë gjithnjë e më shumë shqip. Me kualifikimin historik të Kombëtares Kuqezi në “Euro 2016″, pritet të shkojë në 30 numri i futbollistëve me kombësi shqiptare që do të jenë pjesë e këtij eventi. 23 lojtarë me origjinë shqiptare do të grumbullohen nga trajneri Gianni De Biasi pasi do të jenë ata që do të përfaqësojnë Kombëtaren Kuqezi në Francë, por bashkë me ta pjesë e kampionatit europian me shumë gjasa do të jenë edhe 7 futbollistë të tjerë me kombësi shqiptare.

Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Admir Mehmedi, Valon Behrami dhe Pajtim Kasami pritet të grumbullohen nga Zvicra në “Euro 2016″, edhe Shkodran Mustafi me shumë mundësi do të jetë pjesë e Gjermanisë në kompeticionin francez. Nuk e ka edhe aq shumë të sigurtë vendin në kombëtaren belge Adnan Januzaj por gjithsesi edhe lojtari i Dormtundit ka shanset e tij për të luajtur në Europian.

Nëse këta 7 futbollistë me orgjinë shqiptare do të grumbullohen nga këto tre përfaqësuese, Shqipëria do të bëhet automatikisht shteti që përfaqësohet me shumë futbollistë në Euro 2016 plot 30 të tillë. Ky numër mund të ishte edhe më i madh nëse Danimarka dhe Norvegjia do të ishin kualifikuar në Europian, pasi pjesë dy përfaqësueseve skandinave janë 3 lojtarë shqiptarë, Riza Durmishi te Danimarka dhe dy vëllezërit Valon dhe Veton Berisha te Norvegjia. Një kampionat europian me kaq shumë futbollistë shqiptarë as që mund ta kishim ëndërruar tashmë nuk na mbetet gjë tjetër vecse të presim muajin Qershor dhe të shijojmë kompeticionin që do të mbahet në Francë./ss/