EULEX ka reaguar përmes një komunikate për media për rastin e gjyqtarit të tyre, Malcolm Simmons, i cili ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, duke hedhur akuza të rënda për korrupsion brenda EULEX’it. EULEX thotë se gjyqtari Simmons, përgjatë vitit të kaluar ka qenë nën hetime, pasi ka pasur pretendime të rënda kundër tij.
EULEX ka deklaruare se përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. EULEX thotë se këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
“Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thotë EULEX.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim të EULEX në paraditen e së enjtes dhe të njëjtit kanë kthyer përgjigje me anë të një komunikate për media.
Në një intervistë të publikuar në median franceze “Le Monde”, gjyqtari Simmons ka thënë se EULEX-i donte ta shkatërronte një pjesë të klasës politike kosovare, siç ishte Fatmir Limaj (ish-komandanti i UÇK-së). Tutje ai ka vazhduar duke thënë se EULEX nuk është misioni i promovimit të sundimit të ligjit, por është mision politik, shkruan Express.
Për këto akuza që i ka lëshuar gjyqtari Simmons, EULEX ka thënë se pretendimet e paraqitura nga gjyqtari janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij.
EULEX gjithashtu thotë se nga Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, “por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë”, thotë misioni i BE’së.
“BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keq bërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016. Nga z. Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë ende”, thuhet në njoftimin e EULEX.
Krejt në fund të përgjigjeve të tyre, EULEX thotë se nuk e paragjykon epilogun e hetimeve të tanishme dhe i mirëpret përfundimet e tyre të cilat përshtatshmërish do të bëhen publike.
“EULEX-i dëshiron të theksoj se është Mision i Sundimit të Ligjit me mandat të asistojë autoritetet vendore”, thuhet në njoftim./GazetaExpress/

















