EULEX: Jemi të shqetësuar nga ndalimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës në Serbi

E publikuar: 18/04/2024 21:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i misionit të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano ka reaguar lidhur me ndalimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, në Serbi.

Përmes një postimi në platformën “X”, ai ka thënë se EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Jankoviqit.

“EULEX-i është i shqetësuar për ndalimin e vazhdueshëm të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq në Serbi. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë të përfshirë në rast që t’u përmbahen parimeve të sundimit të ligjit gjatë gjithë procesit.” – ka shkruar Giovanni Pietro Barbano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë thirrje Serbisë për lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, i cili po mbahet në burg në Serbi.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, Kurti ka thënë se Serbia kërkon tensione, sepse nuk i konvenon normaliteti.

“Serbia kërkon tensione, sepse nuk i konvenon normaliteti, nomraliteti nënkupton paqe siguri e qetësi në rajon aq më shumë që ka paqe e siguri në rajon aq më e parëndësishme bëhet Serbia andaj vepron gjithnjë në drejjtim të kundërt”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, është dërguar për 48 orë në paraburgim në Serbi për “prishje të rendit kushtetues të Serbisë”.

Lexo më shumë: Sveçla: Jankoviq është dërguar për 48 orë në paraburgim në Serbi për “prishje të rendit kushtetues të Serbisë”

“Sipas informacioneve, Dejan Jankoviq është dërguar në paraburgim 48-orësh nga autoritetet serbe me akuzën për prishje të rendit kushtetues në Serbi”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka thënë se arrestimi i zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës nga Serbia Rashkë, duhet të jetë alarm për të gjithë.

Kurse ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se është i shqetësuar me ndalimin e qytetarëve dhe të zyrtarëve policorë të Kosovës në Serbi.

Hovenier para gazetarëve ka thënë se SHBA-ja vazhdon të punojë me BE-në në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Jam i shqetësuar për këtë çështje, sepse dikë për të cilin ne e njohëm ndër vite të tëra dhe kemi ndihmuar për integrimin e komunitetit serb në PK pavarësisht etnisë, andaj rolin tyre që e kanë luajtur në pjesën e PK-së, përfshirë edhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar për ndalimin e Jankoviq”, ka thënë Hovenier.