EULEX-i përforcon Njësinë Policore të Specializuar të tij me një Njësi Policore të Specializuar Rezervë për ta mbështetur stabilitetin në Kosovë si dhe sigurinë për të gjitha komunitetet.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia. Këta policë do të punojnë krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet.
Në njoftimin e EULEX-it thuhet se NJPSR-ja do të përbëhet nga asetet EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.
“NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë – duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën”.
Ky do të jetë dislokimi i pestë i NJPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.
“EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë në kuadër të mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti”, thuhet në njoftim.