Eugen Cakolli nga KDI-ja ka komentuar vazhdimin numër pesëdhjetekatër të seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë sonte nga ora njëzetedy.
Pasi dështoi seanca numër pesëdhjetetre, u vendos që ajo të vazhdojë dy orë para skadimit të afatit 30-ditorë të Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit, raporton KosovaPress.
Cakolli thotë se përkundër dëshirës dhe shpresës për konstituimin e Kuvendit, ai konsideron se seanca e gati-mesnatës vështirë se përcjell ndjesinë e seriozitetit apo të zgjidhjes së qëndrueshme.
“Nëse urgjenca ishte kaq evidente, siç është dashur të jetë që në fillim, pse nuk pati më herët përpjekjet e vërteta për dalje nga bllokada? Përndryshe, a ka sinjale për “ardhjen e ndonjë vote”, apo thjesht po mbahet një seancë për të thënë nesër se gjithçka u provua?
Në një situatë të tillë politike, çdo hap duhet të ndërtohet mbi transparencë dhe integritet. Mbi të gjitha, legjitimiteti nuk matet vetëm me rezultatin, por edhe me gjithë rrugën që çon deri aty.”
Para vazhdimit të seancës numër pesëdhjetekatër, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar takime të ndara me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe atë të Nismës Fatmir Limaj.
Kujtojmë, sot përfundon afati njëmujor i Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit, pas së cilës hyn në fuqi masa e përkohshme po nga Kushtetuesja, 27 korrik deri 8 gusht, brenda së cilës deputetët e zgjedhur nuk guxojnë të marrin asnjë vendim sa i përket konstituimit të Kuvendit.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë për KosovaPress se pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme, ani pse tejkalohet afati tridhjetë ditorë.
Ai tha se shkuarja në zgjedhje të reja me urdhër të Kushtetueses, si pasojë e ngërçit në Kuvend, do ta komprometonte rëndë këtë institucion.
Hasani tha se Kushtetuesja, në aktgjykimin final pas tejkalimit të masës së përkohshme më 8 gusht, do të konstatojë se deri në ndërrimin e rendit të ditës nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, gjithçka ka qenë në përputhje me Kushtetutën, por prej 1 majit, kur është propozuar votimi i fshehtë për kryeparlamentarin, ka nisur gjendja jo-kushtetuese që tani duhet të adresohet nga Kushtetuesja.
Sipas tij, Gjykata duhet të sqarojë vetëm edhe një çështje – sa herë mund të propozohet i njëjti kandidat brenda afatit tridhjetë ditor, duke llogaritur nga dita kur ka nisur jo-kushtetutshmëria për shkak të veprimit të Avni Deharit.


















