Eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini dhe bashkëluftëtarëve të tij janë nisur nga lagja Boletini që ndodhet që disa vite në fshatin Veriq të Komunës së Istogut.
Me rastin e nisjes së eshtrave të heroit për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, është mbajtur një ceremoni rasti, ku kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, si dje dhjetëra qytetarë, të cilët kishin ardhur për të nderuar figurën e Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe për të dhënë përkrahjen për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në fshatin e tij të lindjes në Boletin
Familjarët u shprehen të gëzuar që më në fund po realizohet rivarrimi i heroit me ceremoni shtetërore dhe që Isa do të pushojë në vendlindjen e tij, ku tash e një kohë të gjatë e ka pasur varrin e hapur.
Aktivitetet në lidhje me rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit kanë filluar dje dhe do të vazhdojnë deri me 10 qershor. Një nga aktivitetet finale do të mbahet me datën 9 qershor në ora 15:00, ku do të bëhet pritja e eshtrave të Isa Boletinit nga këshilli organizativ e Mitrovicës dhe do të përcillen nga kalorësit gjatë tërë lëvizjes në qytet. Ndërsa me datën 10 qershor kur edhe do të mbahet ceremonia e fundit, që nga mëngjesi do të bëhen homazhe para arkivolit të Isës, për të pasuar me ceremoninë përmbyllëse në stadiumin dhe qytetet dhe prej aty në fshatin Boletin, kur do të bëhet ceremonia e varrimit.