Nga Bekim Selishta
Është e papranueshme që marrëveshjet mes Kosovës, BE-së dhe Serbisë, të udhëhequra nga Miroslav Lajçak, të vazhdojnë të trajtohen si “sukses diplomatik”, ndërkohë që Kosova ka pësuar regres të hapur politik, juridik dhe diplomatik, ndërsa Serbia është shpërblyer pa asnjë përgjegjësi.
Të gjitha rekomandimet, raportet dhe ndërhyrjet e Lajçakut duhet të hetohen dhe verifikohen publikisht. Çfarë është dërguar në Bruksel? Çfarë është fshehur nga opinioni? Dhe pse çdo marrëveshje ka prodhuar barrë për Kosovën dhe lehtësi për Serbinë?
Në Shtëpinë e Bardhë, nën marrëveshjen me Presidentin Donald Trump, është zotuar qartë se njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte epilogu i procesit. Sot, pas ndërmjetësimit të Lajçakut, kemi vetëm marrëveshje të copëzuara, të njëanshme dhe në dëm të shtetit të Kosovës, që i shërbejnë drejtpërdrejt interesave të Serbisë.
Këto nuk janë gabime teknike — këto janë dështime të rënda politike dhe diplomatike. Prandaj, këto marrëveshje duhet të trajtohen me dyshim të plotë, ndërsa raportet e Lajçakut duhet të hapen, audito-hen dhe ballafaqohen me fakte.
Dorëheqja e tij dhe heshtja institucionale nuk e mbyllin këtë kapitull. Përkundrazi, e bëjnë edhe më urgjente pyetjen: kush i shërbeu Serbias dhe kush e pagoi çmimin?
Kosova nuk ka nevojë për ndërmjetës që e shtyjnë drejt lëshimeve të njëanshme, por për drejtësi, transparencë dhe barazi në dialog. Çdo gjë tjetër është mashtrim politik dhe tradhti e interesit shtetëror.


















