Pas një javë spekulimesh për shëndetin e liderit të grupit militant Shteti Islamik Abu Bakr al Baghdadi, një agjenci lajmesh në Iran, ka raportuar pretendimet më të çuditshme deri më tash. Sipas tyre, lideri militant nga Iraku ka vdekur në një spital të Izraelit.
Agjencia Fars News, që është e afërt me Gardën Islamike Revolucionare, raportoi me 26 prill se para se të vdiste, Baghdadi ishte hospitalizuar në spitalin Golan Heights për trajtim, nga plagët që thuhet t’i ketë marrë gjatë një “sulmi të Armatës Irakiane”.
Javën e kaluar, e përditshmja britanike Guardian raportoi se Baghdadi kishte pësuar lëndime serioze, madje të rrezikshme për jetën, duke nxitur kështu shumë spekulime për shëndetin dhe vendndodhjen e Baghdadit.
Guardian raportoi se sipas burimeve – duke përfshirë edhe këshilltarin e qeverisë irakiane, Hisham al-Hashimi – Baghdadi ishte plagosur me 18 mars gjatë një sulmi ajror nga forcat amerikane.
Pentagoni më vonë kundërshtoi që Baghdadi kishte qenë cak i këtyre sulmeve ajrore.
Agjencia e lajmeve Fars, po ashtu raporti se Shteti Islamik në Irak kishte shkuar aq larg, sa që është ” zotuar tashmë për besnikëri ndaj një lideri të ri të quajtur Abdul Rahman al-Sheijar, alias Abu Ali Afri. ”
Janë dy elemente kryesore në këtë pretendim të agjencisë Fars, e që dallojnë nga lajmet tjera.
E para, përderisa Fars kishte përcjellur storien e Guardianit që raportoi se Baghdadi ishte plagosur në një “ sulm ajror në Irak më 18 mars”, Fars ka kundërshtuar t’i jap merita SHBA-së për sulmin.
Në anën tjetër, portali Fars raportoi së Forcat Ushtarake – referencë për militantët shiitë të Irakut – janë përgjegjës për sulmin.
E dyta, sipas Fars, Baghdadi ka qenë duke u trajtuar në një spital në territorin e kapur nga Izraeli, afër kufirit me Sirinë – detaj që jo befasisht, nuk është përmendur në raportet tjera.
Përfshirja e këtij detaji nga agjencia iraniane Fars është në një vijë me raportimet e mëparshme që janë bërë nga disa zyrtarë iranianë, që akuzonin Izraelin dhe agjencinë izraelite të Mossadt, për krijimin e Shtetit Islamik.
Në nëntor, ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein Amir Abdollahian, tha në komentet e publikuara nga Fars që “Mossadi nuk ka pasur vetëm rol në formimin e IS-it, por edhe ka përkrahur funksionimin e tij”, raporton rel.
Që kur pretendimet për vdekjen e liderit të IS-it filluan të përhapen me të madhe më 27 prill, Martin Chulov nga e përditshmja Guardian që kishte raportuar më 21 prill për plagosjen e Baghdadit, ka deklaruar se ai nuk mund t’i konfirmojë këto pretendime.
Duke cituar burimet e tij, ai tha se “Baghdadi ka pasur lëndime të boshtit kurrizor dhe është duke u trajtuar në Mosul të Irakut”./infosot.com/