Edhe një tjetër festival i muzikës është anuluar shkaku i pandemisë së vazhdueshme të koronavirusit.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të festivalit të Chicagos, “Lollapalooza”, në rrjetin social Twitter, u konfirmua lajmi se edicioni i sivjetmë i kësaj ngjarjeje nuk do të mbahet, për shkak se organizatorët duhet të kujdesen për shëndetin dhe sigurinë e fansave, artistëve, bashkëpunëtorëve, stafit të festivalit dhe komunitetit të tyre.
Në deklaratën e postuar, shkruhej: “Do të donim shumë ta sillnim edhe këtë vit festivalin ‘Lollapalooza’ në parkun ‘Grant’, por e kuptojmë pse gjërat nuk mund të zhvillohen siç kishim planifikuar. Prioriteti i yni është shëndeti dhe siguria e fansave, artistëve, stafit dhe komunitetit tonë. Por, të jeni të sigurt se ne do të punojmë shumë prapa skenave për t’ia sjellë Chicagos një festë spektakolare në 30-vjetorin e ‘Lollapalozas’, gjatë verës 2021 dhe mezi presim të festojmë me të gjithë ju.”
Sidoqoftë, fansat janë këshilluar t’i mbajnë të hapura datat 30 korrik deri më 2 gusht, në kalendarin e tyre, sepse organizatorët po e planifikojnë një ngjarje virtuale të festivalit “Lollapalooza”, transmeton Koha.
Në anën tjetër, festivali “Lollapalooza South America” në të cilin janë paralajmëruar performancat e yjeve të tillë si: “The Strokes”, “Guns N’ Roses” dhe Travis Scott, fillimisht ishte planifikuar të mbahej në muajin mars të këtij viti, por për shkak të pandemisë kjo datë është shtyrë dhe besohet se ngjarja do të mbahet sipas planit, në nëntor ose dhjetor të 2020-ës./Koha.net/