Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shpreson se Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për uljen e tensioneve në veri.
Escobar i bëri thirrje dy palëve që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje para 21 nëntorit, datë kur do të fillojnë gjobat në veri për ata që nuk kanë automjetet me targat RKS.
“Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili e bën formimin një obligim ligjor të detyrueshëm për Kosovën”, ka deklaruar ai në një intervistë për Tanjug.
Sipas tij, ngjarjet e fundit në veri të Kosovës janë shqetësuese.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, nënvizoi Escobar.
I pyetur nëse ka aktivitete diplomatike amerikane për këtë çështje, Escobar thotë se ka “një partneritet të plotë me kolegët nga BE-ja”.
Ai mbështet propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Shton se detajet e propozimit janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut të BE-së.
“Ne e mbështesim fuqishëm. Supozoj se pas bisedimeve mes dy qeverive do të fillojë një angazhim më i madh me publikun”, thekson ai.Escobar nuk planifikon ndonjë vizitë së shpejti në Prishtinë ose Beograd.