Gabriel Escobar
Kjo është pyetja që i është bërë të Dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nga mediumi serb N1.
Escobar ka thënë se Serbia e Kosova kanë perspektive evropiane dhe të ardhme të përbashkët, prandaj ai ka kërkuar të harrohet narrativa “Kosova është Serbi”, transmeton Gazeta Express.
Sipas Escobar, në të ardhmen, Kosova dhe Serbia do të lidhen nëpërmjet marrëveshjeve të shumta dhe do të kenë marrëdhënie të mira.
“Mendoj se duhet të harrohet narracioni që Kosova është Serbi dhe të bëhet që Kosova dhe Serbia janë në të vërtetë Evropë. Ju keni një të ardhme të përbashkët. Po lëvizni nga problemet e të nëntëdhjetave drejt mundësive që i ofron shekulli 21”, ka thënë Escobar.
Ai ka theksuar se shekulli 21 do të jetë një periudhë mundësish për Ballkanin.
“Një shekull në të cilin Ballkani Perëndimor do të bëhet gjenerator zhvillimi për tërë kontinentin evropian. Një shekull në të cilin ju do të bëheni qendër e prodhimit të energjisë, energjisë së ripërtëritshme. E vërteta është që në fund ju do të jeni të lidhur me disa marrëveshje rajonale, siç është CEFTA, tregu i përbashkët apo Mini Shengeni dhe eventualisht do të lidheni edhe në Bashkimin Evropian. Në fund, ju përfundimisht do të keni marrëdhënie të mira me Kosovën, do të jeni të lidhur me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën. Kështu që, sa më parë që zgjidhim mosmarrëveshjet, aq më shpejt na vijnë këto shanse të së ardhmes”, ka përfunduar ai.