Escobar i raporton Shtëpisë së Bardhë për situatën në veri

E publikuar: 09/06/2023 08:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Gabriel Escobar

Gabriel Escobar

Gjatë vizitës në Kosovë ditë më parë i dërguari amerikan, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se e premtja është afati kur do të raportojë në Shtëpinë e Bardhë për procesin e de-eskalimit të situatës në veri.

Për këtë pikë, ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të lëvizin, meqë nga përgjigjet e marra dhe raportimi i së premtes në Shtëpinë e Bardhë, Escobar tha se do të pasojnë vendime.

“Pas kësaj vizite, ne do të pyetemi nga Shtëpia e Bardhë, të premten, për t?ua dhënë një përditësim mbi atë që po ndodh. Dhe unë duhet të raportoj nëse ka ndonjë progres apo jo. Miroslav Lajçak duhet të raportojë te Josep Borrell, rreth situatës. Nuk është një afat, por një hap tjetër për mua dhe në bazë të raportit tim do të marrim disa vendime dhe do të ecim përpara”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Emisari i ShBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se ai nuk do që të presë deri në muajin korrik për zgjedhje të reja. Ai përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës dhe se “nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin”. “Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë Qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar.