Erjon Vucaj arrin marrëveshjen me Podbeskidzie në Poloni

E publikuar: 29/06/2015 13:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E ardhmja e Erjon Vucaj duket në kampionatin polak me skuadrën e Podbeskidzie.

Fantazisti shkodran është rikthyer në Laç ku gjendet në grumbullim me skuadrën kurbinase për aventurën europiane pas udhëtimit disa ditor në drejtim të Polonisë. Mesfushori 25-vjeçar, i cili është nën kontratë me klubin Flamurtari do të jetë pjesë e Laçit në dy duelet ndaj Inter Baku, për të zëvendësuar të dëmtuarin Marko Cetkovic. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Vucaj ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e ekipit polak Podbeskidzie për një kontratë 2-vjeçare, duke i besuar atij çelësat e mesfushës.

Klubi polak i renditur në vendin e 13-të edicionin e kaluar shpreson tek cilësitë e Vucajt për të bërë një hap më të madh në edicionin e ri. Edhe verën e kaluar Vucaj ishte pranë nënshkrimit të kontratës me një tjetër klub polak, Ruch Chorchov teksa palët kishin arritur të binin akordin por që u prish në çastet e fundit, pasi drejtuesit e këtij klubi hodhën sytë nga mesfushori Sabien Lilaj por pa mundur dot të nënshkruanin kontratë me mesfushorin e Skënderbeut. Tashmë Vucaj duhet të zgjidhë të ardhmen e tij, pasi është nën kontratë me Flamurtarin, kontratë në të cilën ekziston një klauzolë ku mund të lejohet të largohet në rast të një oferte nga jashtë./ss/