Erdogani – Pakistanit: Faleminderit që i përjashtove 400 turq nga organizatat e Gulenit në Pakistan

E publikuar: 17/11/2016 15:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan, e ka lavdëruar sot Pakistanin për rreshtim përkrah tij kundër përkrahësve të klerikut mysliman, Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e fajëson për orkestrimin e puçit të dështuar në korrik të këtij viti, vetëm një ditë pasi autoritetet pakistaneze urdhëruan 400 shtetas turq që të largoheshin nga Pakistani.

“Ne do ta eliminojmë këtë organizatë terroriste para se ajo ta dëmtojë Pakistanin,” ka thënë Erdogan gjatë një fjalimi në Parlamentin e Pakistanit, para ligjvënësve, kryeministrit dhe udhëheqësisë ushtarake, transmeton Express.

Erdogan ka nisur sot një vizitë zyrtare në Pakistan.

Turqia ka nisur një luftë të gjerë kundër ndjekësve të Gulenit, i cili ka vetë-mërguar në SHBA, organizata e së cilit udhëheq një rrjet global të bamirësive, grupeve biznesore, shkollave dhe spitaleve.

Që nga puçi i korrikut, Turqia i ka arrestuar dhjetëra mijëra persona, si dhe i ka përjashtuar më shumë se 100.000 shërbyes civilë, nën dyshimet se kanë lidhje me Gulenin./Express/