Presidenti turk, Tayyip Erdogan, mund të udhëheqë Turqinë deri në vitin 2029 me pushtete ekzekutive të zgjeruara, në bazë të propozimeve me të cilat partia e tij udhëheqëse AK shpreson se do të mbajë një referendum në pranverë të vitit t ardhshëm.
Kështu kanë thënë zyrtarët turq për Reuters, të cilët e kanë parë draftin, transmeton Express.
Erdogani dhe përkrahësit e tij argumentojnë se Turqia ka nevojë për udhëheqësinë e fortë të një presidence ekzekutive, e ngjashme me sistemin në Shtetet e Bashkuara dhe Francë, në mënyrë që t’i shmangët koalicioneve të brishta qeveritare që e kanë penguar zhvillimin e saj në të kaluarën. Por, kundërshtarët e shohin ndryshimin e propozuar si mjet për ambiciet e Erdoganit, dhe kanë frikë se do të sjellë autoritarizëm në rritje në një vend që veçse po kritikohet ashpër nga aleatët perëndimorë për shkak të historisë së përkeqësuar ndaj lirive dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht pas spastrimeve të mëdha pas tentim puçit ushtarak në korrik.
AKP, e themeluar nga Erdogani para një dekade e gjysmë, po synon të mbajë një referendum për këtë çështje në pranverë dhe po kërkon përkrahje nga partia opozitare nacionaliste MHP, në mënyrë që ta fitojë aprovimin e parlamentit për referendum.
Në bazë të draftit të fundit, e prezantuar para MHP dje, Erdogan mund të marrë pozitën e presidentit ekzekutiv në detyrë, menjëherë pas referendumit nëse ndryshimet kushtetuese aprovohen. E më pas, mbahen zgjedhjet presidenciale, siç janë paraparë, pas përfundimit të mandatit të tij në vitin 2019./Express/