Erdogan pëson humbjen e parë në 12 vjet

E publikuar: 07/06/2015 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia e Presidentit Recep Taip Erdogan ka dështuar të fitojë shumicën e thjeshtë parlamentare, në zgjedhjet e sotshme të mbajtura në Turqi. Në këtë mënyrë ka marrë fund edhe ëndrra e tij për një sistem presidencial të fuqishëm, siç po planifikonte.
Populli turk më në fund është zgjuar. Me votën e dhënë në zgjedhjet e fundit parlamentare turqit i kanë thënë JO Presidentit Erdogan, partia e të cilit ka shënuar rreth 10 për qind rënie, krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Sipas rezultatit të 99 për qind të votave të numëruara, AKP, partia që e udhëheq Erdogan, ka fituar rreth 41 për qind të votave, ose rreth 260 deputetë, në parlamentin që numëron 550 deputetë. Në këtë mënyrë Davutoglu, i cili ishte kandidat për Kryeministër , nga partia e Erdogan, nuk do të mund të formojë Qeveri një partiake, siç ishte shpresuar. Kurse, assesi nuk do të mund të nisë procesin e reformave për ta shndërruar Turqinë në një Republikë Presidenciale, ashtu siç shpresonte Erdogan.

Befasi në këto zgjedhje kanë qenë Partia Nacionaliste Turke dhe Partia Kurde, të dyja këto duke e kaluar pragun qesharakisht të lartë turk prej 10 për qind. Partia Kurde është për herë të parë në parlament, me rreth 80 deputetë.

Në anën tjetër, partia më e madhe opozitare turke, ajo Republikane, ka fituar 25 për qind të votave.

Teoretikisht, partitë opozitare, të gjitha së bashku, mund të grumbullojnë më shumë se 50 për qind të votave të deputetëve.

Në Turqi priten zhvillime interesante ditëve në vijim.