Instituti EPIK përmes një komunikate për media ka adresuar disa kritika ndaj Qeverisë Hoti për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, derisa ka shpalosur disa këshilla për hapat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria për çështjen e integrimit.
“Qeveria e re e Republikës së Kosovës ka shuar Ministrinë e Integrimit Evropian (MIE) dhe ka bartur përgjegjësitë e MIE-së në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Ne përshëndesim vendimin e Qeverisë për ri-organizimin e strukturës institucionale përgjegjëse për procesin integrues dhe një gjë të tillë në fakt e kemi rekomanduar në tetor të vitit 2019, në përputhje me përvojat më të mira të vendeve të rajonit dhe vendeve të cilat tani më janë bërë shtetet anëtare të BE-së. Sidoqoftë, sot dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë për mungesën e adresës politike në kuadër të Qeverisë së re për procesin integrues dhe krijimin e boshllëkut institucional në mungesë të një plani efecient të tranzicionit të MIE-së”, thuhet në komunikatë.
EPIK shton më tutje se shuarja e MIE-së është bërë – por çfarë tani? Nëse deri dje partnerët tanë Evropianë kanë pasur adresë Ministrin e Integrimit – kush është adresa e tyre politike tani?
“Tani më janë emëruar ministrat e rinj të Qeverisë dhe janë ndarë përgjegjësitë institucionale në përputhje me Vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë dhe Rregulloren e Qeverisë për Fushat e Përgjegjësisë dhe Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, ndërsa ne ende nuk e dimë se kush do të jetë adresa politike e procesit më strategjik të vendit brenda Qeverisë së Kosovës. Mungesa e një vendimi politik për procesin më strategjik të vendit është indikacion i mungesës së vëmendje dhe përgjegjësisë politike për procesin i cili gëzon përkrahjen e 90% të qytetarëve”, thuhet në komunikatë. “Po ashtu, presim që Qeveria urgjentisht të prezantojë një plan të qartë të tranzicionit institucional të MIE-së drejt strukturës së re qeveritare – Agjencisë për Integrim Evropian (AIE), në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Mungesa e një plani të tranzicioni efecient do të krijojë boshllëk politik dhe paqartësi institucionale duke dëmtuar kështu agjendën integruese të vendit”.
Në këtë drejtim, sipas EPIK, Qeverinë e presin katër hapa drejt strukturës së re institucionale për integrim evropian:
Emërimin e njërit nga Zëvendës Kryeministrat përgjegjës për Integrim Evropian: kështu do ekzistojë një adresë e qartë politike për procesin e integrimit Evropian brenda Qeverisë së Kosovës;
Themelimi i Agjencisë për Integrim Evropian: Përgjegjësitë e MIE-së tani do të kalojnë në Agjencinë për Integrim Evropian brenda Zyrës së Kryeministrit. Sidoqoftë, ligjërisht AIE nuk ekziston. Po ashtu, nuk ekziston më as MIE. Rrjedhimisht, është urgjente që Qeveria të dërgoj në Kuvend Projektligjin për Themelimin e Agjencisë për Integrim Evropian;
Miratimi i Rregullores për AIE: Pas aktit themelues të AIE-së, Qeveria duhet të miratoj Rregulloren e brendshme për funksionimin e MIE-së, me ç’rast do të sigurohet organizmi i brendshëm administrativ i shërbimit civil të AIE-së;
Plotësim ndryshimi i akteve të ndërlidhura normative qeveritare në fushën e integrimit Evropian: Brenda Qeverisë ekzistojnë shumë struktura ndërqeveritare në fushën e integrimit Evropian, siç janë: Këshilli Ministror për Integrim Evropian, Forumi i Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donacioneve, etj – tani Qeveria duhet të siguroj plotësim-ndryshimin e gjithë legjislacionit sekondar për të reflektuar rolin e Zëvendës Kryeministrit për Integrim Evropian dhe të AIE-së.
Në këtë drejtim, shton më tutje ky institut, dëshirojmë të rikujtojmë Qeverinë se MIE ka koordinuar proceset e rëndësisë jetike në emër të Republikës së Kosovës, siç janë:
Liberalizimi i vizave,
Marrëveshja Stabilizim Asociimi,
Përputhshmëria e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE-së,
200 milion EURO donacione në vit;
Bursën “Young Cell Scheme” të BE-së për studimet MASTER;
Takime e larta vjetore Kosovë – BE, në kuadër të procesit të Stabilizim Asocimi.
“Prandaj, duke pasur parasysh rëndësinë e procesit integrues dhe përgjegjësitë e deridjeshme të MIE-së, ftojmë Kryeministrin Hoti që urgjentisht të emëroj njërin nga Zëvendës Kryeministrat përgjegjës për procesin e integrimit Evropian, si dhe të merr përgjegjësi politike për procesin integrues duke siguruar një tranzicion efecient të MIE-së në Agjencinë e re për Integrim Evropian me miratimin sa më të shpejtë të Ligjit për Themelimin e AIE-së”, thuhet në komunikatë.