Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, do të përballet me drejtësinë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tij, i dyshuar për vepër penale Mashtrim në detyrë, raporton KTV.
Hasani akuzohet për shpërdorim detyre në kohën sa ishte rektor në Universitetin e Prishtinës. Bashkë me të akuzohen edhe ish-shefi i zyrës së prokurimit në UP, Hakif Veliu, dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana.
U përfol për shumë vendime që mori gjatë kohës sa ishte në krye të Gjykatës Kushtetuese. Rrëzimi i presidentëve nga karrigia dhe vendimet që u cilësuan si të favorshme për PDK-në e bënë Enver Hasanin zyrtar të fuqishëm, që shënoi kthesa të rëndësishme në politikën kosovare.
Por, prokuroria po e hetonte atë prej kohësh për një periudhë para se të ishte në krye të kushtueses.
Enver Hasani, për një mandat, ishte në krye të Universitetit të Prishtinës, pikërisht edhe kur dyshohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare në favor të interesit personal.
Në aktakuzën e ngritur ndaj tij dhe Hakif Veliut e Albert Rakipit, thuhet se të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për Institutin për Studime Ndërkombëtare në Tiranë, kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe, për nevojat e Universitetit të Prishtinës”.
“Sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë hartuar një kontratë të re, në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale, duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, në mënyrë që në vend të çmimit 12.65€ për 1000 fjalë, kanë shënuar çmimin 12.65€ për 1000 karaktere”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për aktakuzë.
Në këtë mënyrë, të pandehurit i kanë mundësuar Institutit për Studime Ndërkombëtare nga Tirana përfitim kundërligjor në shumën prej 70 mijë e 426 euro.
Kontratën e falsifikuar, Hasani e kishte dërguar në Tiranë te i pandehuri Albert Rakipi, i cili më pas ia kishte kthyer Universitetit të Prishtinës faturën për përkthimin e librave të llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere” e jo fjalë.
Tenderi që UP-ja e ndau për kompaninë, ku sipas medieve, kishte punuar edhe vet Hasani, nxiti dyshimet e për më tepër librat e përkthyer nuk kishin ardhur asnjëherë në Kosovë.
Nga burime brenda prokurorisë, KTV-ja merr vesh se aktakuza është ngritur nga prokurorja Drita Hajdari, e cila i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën e kryer penale dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka kërkuar që Instituti për Studime Ndërkombëtare nga Tirana t’ia kompensojë Universitetit të Prishtinës dëmin në shumën prej 70.426 euro e 90 cent.
I kontaktuar nga KohaVisioni, avokati mbrojtës i Hasanit, Betim Shala, ka thënë se në bazë të provave, mbi të cilat prokurorja ka ngritur aktakuzën, ai konsideron se profesor Hasani nuk është fajtor për veprën që i ngarkohet.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, më parë ka ngritur akuza edhe ndaj Sali Mekajt, kryetar gjyqi në Pejë, Sllobodan Gavriqit, shtetas serb i dyshuar për terrorizëm dhe akuza për ish-inspektorët e komunës së Prishtinës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.