Nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca ka bërë të ditur sot gjatë një konference të përbashkët të opozitës për media se protesta e nesërme e organizuar nga tri partitë opozitare do të zhvillohet në mënyrë paqësore.
Konjufca ka thënë se protesta do të nis me intonimin e himnit kombëtar që do të përcillet me fjalime e në fund do të zhvillohen edhe disa aktivitete.
Ai ka shtuar se janë organizuar udhëtime me autobus nga të gjitha komunat e Kosovës për t’ua mundësuar qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë e Manifestimit të nesërm.
“Ne do te protestojmë nesër ne mënyrë paqësore. Prej te gjitha komunave ne i kemi organizuar udhëtimet me autobus. Në fillim do te lëshohet hymni i flamurit kombëtar, pastaj do te ketë fjalime dhe ne fund disa aktivitete”, ka thënë Konjufca.
Ai nuk ka bërë të ditur nëse tre deputetët e opozitës të kërkuar nga Policia e Kosovës do të jenë nesër të pranishëm në shesh.
Pal Lekaj nga AAK ka ftuar qytetarët e Kosovës që nesër të dalin në sheshin “Zahir Pajaziti”, e cila siç tha ai, do të jetë protesta më e madhe e organizuar që nga paslufta.
“Qytetarët kanë shumë arsye për të protestuar. Bashkë me qytetaret ne do t’i kundërshtojmë këto dy marrëveshje që janë në dëm të qytetarëve. Ftojmë të gjithë qytetarët që nesër me 28 nëntor të dalin në sheshin “Zahir Pajaziti” qe t’i kundërshtojmë këto marrëveshje që janë shumë të dëmshme për Kosovën. Nesër do të jetë protesta më e madhe që është organizuar që nga pas lufta”, ka thënë Lekaj.
Ndërkaq Bilall Sherifi nga NISMA kërkoi nga Policia e Kosovës që të ndihmoj në mbarëvajtjen e protestës së nesërme për shkak se qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës parashihet të vijnë në Prishtinë./arbresh.info.