Luis Enrique nuk e bën dramë humbjen që pësoi Barcelona në Camp Nou ndaj Deportivo Alaves, skuadër që sezonin e kaluar luante në Segunda Division. Një disfatë kjo që e pozicion Barcelonën tre pikë pas kryesuesve të Realit të Madridit në klasifikimin e La Ligas. Sipas trajnerit të Barcës i cili në këtë sfidë la fillimisht në stol shumë lojtarë titullarë, skuadrës së tij i mungoi shpejtësia ndaj Alaves-it ndërsa në disa momente të lojës u tregua shumë e brishtë.
“Nuk zhvilluam një ndeshje të mirë që nga minuta e parë e deri në atë të fundit, sepse ishim shumë pak precizë përpara portës. Nuk dolëm asnjëherë në lojën tonë dhe për këtë fakt më vjen shumë keq. Nuk kishim shpejtësinë e duhur në veprimet tona dhe në shumë momente të sfidës u treguam të brishtë, sidomos në pësimin e golave. Dua të përgëzoj gjithashtu skuadrën e Alaves që zhvilloi një ndeshje shumë të mirë”.
Më pas Luis Enrique u ndal të fliste për ndryshimet e shumta që bëri në formacion duke i marrë përgjegjësitë mbi vete.
“Jam unë fajtori kryesor për këtë disfatë. Mendova se do të ishte më mirë të ndryshoja disi në formacionin titullar dhe tu jepja mundësi aktivizimi lojtarëve që kanë luajtur më pak. Për cdo rezultat negativ të skuadrës përgjegjësi kryesor jam unë dhe pranoj këtë gjë. U përpoqa të bëjë më të mirën duke ndryshuar dicka në zgjedhjet e mia, por kur shikon rezultatet më pas është e thjeshtë të gjykosh një trajner. Ndryshimet në formacion i bëra edhe për faktin se disa lojtarë erdhën të lodhur nga impenjimet me ekipet kombëtare”./ss/