Luis Enrique nuk është aspak i kënaqur nga Barcelona e tij, pavarësisht fitores 2-1 në transfertën e Malagas. Trajneri i skuadrës katalanase kritikon grupin që drejton, duke e pranuar se Barcelona ka ende nevojë për shumë punë edhe pse tashmë duhet të përqëndrohet te ndeshja e Kupës kundër Atleticos së Madridit.
“Është e vështirë ta përtyp një pjesë të parë si ajo e luajtur në Malaga. Ishim shumë të paqartë dhe unë kam evidentuar më shumë se një situatë të rrezikshme. Gjithsesi, ndryshuam diçka në pjesën e dytë. Nëse do të dija se ku çalojnë gjërat me siguri do të ndërhyja për të ndryshuar situatën. E vetmja gjë që mund të shpëtoj nga kjo ndeshje është rezultati”.
Një mesazh i qartë nga ana e trajnerit që nuk kërkon shpërqëndrime në pjesën më delikate të sezonit. Në prag të sfidës së radhës për Kupën e Mbretit, në dispozicion të skuadrës rikthehet sulmuesi brazilian Neymar, i cili nuk udhëtoi drejt Malagas. Në krahun tjetër, mbrojtësi Jordi Alba do të vazhdojë të qëndrojë jashtë fushës edhe të mërkurën në mbrëmje.