Engjëlli me reçipetat 3 mln dollarëshe

E publikuar: 02/11/2016 00:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Engjëlli i “Victoria’s Secret”, Jasmine Tookes ishte ajo që fitoi krahët dhe diamantet bashkë, për shfaqjen e 2016-s. Ajo u përzgjodh mes modeleve të tjera për të mbajtur reçipetat 3 milionë dollarëshe, gjatë spektaklit të përvitshëm madhështor të kompanisë së famshme amerikane të të brendshmeve.

Tookes nuk ka veçse një vit që është rreshtuar mes engjëjve të mrekullueshme të “Victoria’s Secret”, ndaj dhe vlerësimi i bërë e ka gëzuar pa masë. Në të kaluarën, reçipetat e mbushura me gur të çmuar i kanë mbajtur emra të njohur si Tyra Banks, Heidi Klum dhe Lily Aldridge.

Reçipeta është e zbukuruar me gur smeraldi dhe diamante, që së bashku shkojnë në 450 karatë, si dhe është punuar me flori 18-karatësh. Ai është sistemuar në mënyrë që t’i përshtatet trupit të 25-vjeçares.

“Kur e vesha dhe pashë diamantet, thashë me vete: O Zot, është kaq i bukur. Shkëlqen nga çdo kënd që ta kthesh”, rrëfen modelja.

Këtë vit, mbrëmja magjike do të mbahet në Francë. “Kishim plot vende të bukura ku të vinim gishtin, por Parisi na u duk ai më perfekti”, shpjegon producentja Monica Mitro.

Në radhën e parë të të ftuarve, në sfilatën që pasurohet çdo vit me elementë të rinj, do të jenë Lady Gaga, Bruno Mars dhe “The Weeknd”. Pasarelën do ta mbushin 47 modele, që do të paraqesin 75 komplete të brendshme, e ashtu siç ndodh prej kohësh tashmë, vështirë se dikush mund të mbetet i zhgënjyer./tch/