Energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet nga data 1 prill. E nëse Kuvendi i Republikës e miraton ligjin e ri për TVSH-në, i cili parasheh uljen e TVSH-së për rrymën nga 16 në 8 për qind, atëherë tarifat e energjisë elektrike nga muaji korrik do të jenë për 8 për qind më të ulëta se që janë aktualisht, shkruan sot Koha Ditore.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk i ka aprovuar komentet e KEDS-it, KESCO-së, KOSTT-it dhe KEK-ut për shtrenjtim të energjisë elektrike, në mënyrë që atyre t’u rriten të hyrat. Bordi i ZRRE-së do të mblidhet të premten për të vendosur për të “Hyrat e lejuara maksimale” për të licencuarit në sistemin energjetik dhe tarifat e energjisë elektrike që do të aplikohen nga data 1 prill.
Burimet i kanë thënë gazetës se propozimet preliminare të ZRRE-së për një rritje të MAR-it për 1.72 % nuk do të ndryshohen, pasi komentet e të licencuarve nuk e kanë bindur ZRRE-në për të ndryshuar propozimin fillestar.
Rrjedhimisht edhe tarifat e energjisë elektrike do të mbesin të njëjta, pasi ZRRE-ja ka konstatuar se për shkak të rritjes së konsumit, të licencuarit do të jenë në gjendje të mbledhin të hyra më të larta se vitin e kaluar me tarifat e njëjta.