Më 13 dhjetor është thirrur protestë me kërkesën për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Megjithatë, organizatorët thonë se po pritet leje për protestën.
“Konform ligjit për organizim të protestës kemi adresuar dy kërkesa për protestë në qytet të Shkupit, konform ligjet për vetëqeverisjes lokale për sheshet dhe lokalet kompotent është qyteti i Shkupit kemi bërë kërkesa para dy javë dhe të njëjtën kërkesë e kemi bërë para një jave, kemi marrë një konkluzion për ta paguar taksën komunale gjë që e kemi bërë, dhe jemi në proces e sipër për të na dhënë lejen. Nuk mendoj se duhet të ketë ndonjë pengesë për arsye se kjo është e drejtë kushtetuese në vendin tonë, jemi shtetas në vendin tonë. Kjo protestë nuk është e adresuar kundrejt ndonjë entiteti kjo është protestë mbi partiake puro shqiptare dhe këtë protestë shqiptarët nuk duhet ta përkrahin parimisht por realisht”, ka thënë Bujar Dardhishta nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari theksoi se protesta në Shkup, ashtu sikurse edhe në vendet tjera ka qenë thirrje për drejtësi.
“Qëllimi jonë i vetëm është që të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimit dhe gjithë të tjerët të cilët padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë. Ne nuk i thërrasim protestat dhe nuk i kemi thirrë asnjëherë që të kundërshtojmë ose kundër drejtësisë. Çdo individ që i përgjigjet kësaj proteste flet në vete dhe kërkon drejtësi. Atje është duke ndodhur padrejtësi. Kjo gjykatë është politike. Iu bëjmë thirrje dhe ftojmë të gjithë qytetarët pa dallim feje, pa dallim politike, partitë politike, qytetarët e OJQ-të, që të vijnë në protestë t’i shprehim pakënaqësitë tona dhe të kërkojmë drejtësi dhe protesta të jetë e qetë dhe e dinjitetshme. Besojmë që protesta do të jetë masive dhe ftesa jonë është pa dallim që të kërkojmë që krerët të lirohen,” deklaroi ai.
Protesta në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është e pesta me radhë, pas Prishtinës, Hagës, Tiranës e Strasburgut.


















