Emisari Escobar takon Osmanin e Konjufcën, para takimit të Ohrit

E publikuar: 16/03/2023 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nesër do të takohet me të dërguarin Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Sipas njoftimit të presidencës, takimi do të mbahet nga ora 09:00 e paradites.

“Ndërsa në orën 10:00, pas takimit, Presidentja Osmani dhe zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar, deklarohen për media”, thuhet në njoftim.

Më pas, nga ora 10:20, emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Escobar, do të pritet në zyrë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Pas këtij takimi, nuk janë paraparë deklarime për medie.

Vizita e Escobarit në Kosovë vjen dy ditë përpara takimit të 18 marsit në Ohër, ku kryeministri i vendit, Albin Kurti, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Temë kryesore e takimit të Ohrit do të jetë aneksi i Planit Evropian.