Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, është distancuar nga Grupi i tij Parlamentar rreth çështjes së tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Por, megjithatë ai tha se prapë është kundër kësaj nisme, duke dhënë arsyet e tij gjatë fjalës së tij në Parlament.
Unë distancohem nga fjalimi i Armend Mujës në emër të Grupit Parlamentar. Pse detyrohem të flas sot unë është për shkak edhe një opinioni që është krijuar rreth kësaj teme ku edhe qytetarët kanë jashtëzakonisht interes për të diskutuar dhe për të parë edhe mundësinë më të mirë që mund të nxjerrim nga ky propozim”.
Rrahmani tha se edhe herën e parë kur janë tërhequr, ai ka qenë kundër, raporton Gazeta Express.
“Unë si deputet kam votuar kundër sepse ka qenë diskriminuese për shkak që sot për ato mjete që janë tërhequr atë vit paguajnë ata që s’kanë përfituar atëherë. Sot mendoj që kjo iniciativë është më ndryshe mirëpo prapë nuk është e duhura dhe mendoj që mund të gjejmë një zgjidhje që nuk dëmtohet kontributdhënësi edhe largohemi pak prej kësaj retorikës së akuzave të njëri-tjetrit që po bëjmë çdo ditë”.
Rrahmani tha se në institucionet shëndetësore publike ka shumë raste ku s’mund të trajtohen për shkak të kufizimeve financiare dhe se në raste të tilla do të ishte mirë të tërhiqen një pjesë e kursimeve.
“Në këto raste mendoj që duhet secili prej nesh duhet të mbështesë, që në raste shëndetësore t’iu lejohet”.