“Elseid Hysaj do të luajë jashtë Italisë”

E publikuar: 22/07/2015 19:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kthesë e papritur për sa i përket merkatos së Elsid Hysajt. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka qenë një ndër emrat e nxehtë të kësaj vere pasi është folur shumë për një kalim të tijin te Napoli, por drejtuesit e Empolit, klub që zotëron kartonin e Hysajt bëjnë të ditur se e ardhmja e 21 vjecarit do të jetë jashtë Italisë.

Ka qenë vetë Marcello Carli, drejtori sportiv i Empolit që dha disa deklarata për radio Kiss Kiss Napoli duke u shprehur, “Hysaj? Do ta shesim jashtë Italisë. Tratativa është në fazë goxha të avancuar. Nuk e di nëse Napoli do të dojë të përfshihet.

Më vjen keq kur skuadrat investojnë kapital të madh jashtë. Ne arkëtuam 5 milionë euro nga Napoli dhe i investuam në operacione në vendin tonë”. Drejtori Sportiv i Empolit nuk përmendi emrin e skuadrës që është në tratativa të avancuara për Hysajn, por sipas raportimeve të mediave italiane një ndër skuadrat që kanë shfaqur interes më të fortë për Hysajn nga ato jashtë Italisë është Bayer Leverkusen.

Deri më tani Napoli konsiderohej destinacioni më i mundshëm për mbrojtësin shqiptar por tratativat mes Empolit dhe klubit të Aurelio de Laurenttis kanë ngelur pezull prej disa javësh me klubin toskan që bëri të ditur se 4 milionë euro nuk mjaftojnë për kartonin e futbollistit.