Elozhe mutit

E publikuar: 13/12/2017 15:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fjalori i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) ka vetëm këto shpjegime për zërin mut,-i: thjesht. 1. Jashtëqitja e njeriut; nevoja e madhe; 2. fig., shar: njeri i ndyrë, njeri i keq; i bëri mutin: e braktisi me përbuzje.

Megjithatë, në gjuhën e përditshme, ka edhe më shumë kuptime.

Do të shtoja, shpreh edhe një gjendje të keqe, të pakëndshme. “Jam i zhytur në mut”, ”jam i zhytur në mut deri në fyt” (deri në buzën e epërme): e kam punën pisk, jam në pozitë të vështirë si pasojë e ndonjë veprimi qoftë të bërë nga unë, qoftë nga dikush tjetër në raport me mua. “E kam bërë mut”: e kam prishur punën, kam bërë keq diçka. “E hëngra mutin”: flas pa nevojë, pa vend, kur nuk duhet, bëj që nuk duhej bërë. Një gjë të pavlerë: “ai film është mut”, “ajo vepër është mut”. “Mbetem si mut”: mbetem çile guri gojën, i habitur, i shushatur, i zënë ngushtë. “Bëj figurën e mutit”: paraqitem keq, më rezulton keq një veprim. “Laj mutin me shurrë”: bëj keq e më keq, mundohem të përmirësoj një gjë duke e prishur edhe më tepër. Si sharje vulgare: “ma hëngsh mutin”. Ndonjëherë, shprehja “ti je mut”, nuk është skajshmërisht ofensive, shpreh një pakënaqësi të vogël, një reagim çasti që nuk mëton gjithsesi revanshin. Më rrallë, shprehja e tillë (“çfarë muti je”, “sa mut je”), mund të jetë e dhënë edhe në kuptim pozitiv, kur dikush bën diçka të këndshme, simpatike dhe ne zgjedhim pikërisht një formë të tillë lavdërimi për të (ashtu siç themi “sa dreq je”, “sa thi je”). “Mutin”: kur shprehim thjesht një reagim të parë, impulsiv ndaj një gjëje; ose tamam një reagim pakënaqësie, indinjate, etj.  

Mund të formohen fjalë: mutngrënës, mutbërës.

Si zvogëlues dhe zmadhues do të mund të përdoreshin: mutëz, mutan.

Përveç në gjuhën e përditshme, siç e pamë, ka përdorim të gjerë edhe në art.

Merdre!

Kjo është fjala me të cilën hapet pjesa teatrore Ubu roi. Natyrisht, për kohën, ishte skandaloze. Për më tepër që, gjatë tërë tekstit, përmendet edhe me dhjetëra e dhjetëra herë të tjera.

Piero Manzoni, më 21 maj 1961, skandalizoi po ashtu botën duke ekspozuar 90 kutitë e tij të famshme të etiketuara “Muti i artistit”. Kutia e fundit që është shitur, në ankandin e vitit të kaluar, ka kushtuar hiç më pak se 222.000 euro.

Ndërsa poeti Hans Magnus Enzensberger i ka kushtuar një poezi, me titull homonim, në të cilën e ka me të gjithë ne që e njollosim këtë gjë “delikate dhe të butë”, duke ia huazuar gjithkujt emrin e saj të mirë, “presidentit të SHBA-së, policëve, luftës, kapitalizmit”.

Pra, duhet të tregojmë pak më shumë respekt për mutin, nuk mund t’i themi mut (cinikisht: secilit mut) secilit njeri që na del përpara dhe na prish punë. Një: njolloset emri i mirë i gjësë. Dy: nuk është bash sjellje prej të edukuari t’i themi tjetrit, për ta luftuar dhe zmbrapsur, diçka që faktikisht na takon edhe neve.