Dokumentari është shfaqur në 69 kanale të ndryshme televizive në Amerikë.
Aktorja me prejardhje shqiptare që jeton në Amerikë, Eliza Dushku, gjatë një interviste dhënë për Boston Herald ka folur ndër të tjera edhe për dokumentarin e saj për Shqipërinë, të titulluar “Dear Albania” (E dashura Shqipëri).
Dokumentari është xhiruar nga Eliza dhe vëllai i saj Nate me ndihmën e fotografit të famshëm Fadil Berisha.
Dushku ka thënë se ata kanë vendosur ta bëjnë këtë dokumentar duke e parë se askush nuk di shumë për këtë shtet që ka qenë nën komunizëm dhe diktaturë për disa vjet. Tutje ajo ka shtuar se të gjithë e din ku është Greqia, apo Italia, por jo për Shqipërinë që është aty ngjitur me to.
“Dokumentari nuk është për të treguar se në jemi me të mirët, por për të treguar se ky vend ekziston. Për të treguar për njerëzit dhe për traditat e për gjuhën që është ndër më të vjetrat në Evropë. Atje ka shumë histori për të cilën duhet të tregohet”, thotë ndër të tjera Dushku.
“Dear Albania” është dokumentar që përshkruan një rrugëtim në 15 qytete të Shqipërisë, duke përfshirë edhe Tetovën e Prishtinën, në një guidë turistike promovuese për traditat, besimin dhe turizmin shqiptar.

















