“Elektrizohet” Policia e Kosovës, planifikon blerjen e skuterëve elektrikë me 120 mijë euro

E publikuar: 05/09/2025 03:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës po e ndjek hapin me trendet moderne të transportit, duke planifikuar që së shpejti të pajiset me skuterë elektrikë me bateri të rimbushshme. Në një kohë kur mobiliteti i gjelbër po bëhet normë në shumë kryeqytete botërore, edhe Policia e Kosovës synon të kalojë në versionin “eco-friendly” të patrullimit.

Sipas njoftimit për kontratë të publikuar më 29 gusht 2025, furnizimi përfshin blerjen e skuterëve elektrikë me një kontratë publike kornizë që do të zgjasë tre vjet. Vlera e parashikuar e kontratës arrin në 120 mijë euro, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave është caktuar deri më 22 shtator 2025, përmes platformës elektronike të prokurimit, raporton Infosot.

Kontrata do të ekzekutohet përmes thirrjeve dhe porosive, me mundësi shërbimi e mirëmbajtjeje brenda Prishtinës apo në një rreze prej 15 kilometrash nga Flota Operative e Policisë. Tenderuesit janë të obliguar të ofrojnë garanci minimale 12-mujore, katalogë teknikë dhe autorizime nga prodhuesi ose distributorët e tyre.

Autoriteti kontraktues ka përcaktuar gjithashtu edhe kriteret financiare, ku operatori ekonomik duhet të dëshmojë një qarkullim prej jo më pak se 200 mijë euro gjatë tre viteve të fundit. Për pjesëmarrësit kërkohet edhe sigurimi i tenderit në vlerë prej 3 mijë euro, me afat vlefshmërie 90 ditë./Infosot/

Njoftim per Kontrat, Policia e Kosoves (Dokument)