Pas një mungese dyvjeçare për shkak të lëndimeve të shumta, Stephan el Shaarawy rikthehet të shënojë në “San Siro”.
Goli i tij i fundit datonte më 16 dhjetor 2012, në derbin kundër Interit: “Për mua ishte një gëzim i jashtëzakonshëm goli në “San Siro”, pasi më mungonte vërtet shumë”, tha ai në përfundim të ndeshjes kundër Torinos. “Sivjet nuk kemi kaluar një edicion pozitiv dhe më vjen shumë keq që nuk kam arritur të jap kontributin tim për ekipin. Duhet që ta arkivojmë sa më shpejt këtë sezon zhgënjyes dhe të rikthehemi kompetitivë”. Më pas, “faraoni” foli për të ardhmen:
“Nuk e shikoj veten larg Milanit. Shpresoj që në sezonin e ardhshëm të kem vazhdimësi dhe të shënoj sa më shumë gola për Milanin. Momentet e vështira të ndihmojnë të rritesh dhe ndihem më i fortë se më parë. Inzaghi? Shpresoj që të qëndrojë me ne edhe në vitin e ardhshëm. Trajneri ka punuar shumë dhe është një njeri që jeton për Milanin”, ka nënvizuar El Shaarawy.