Interpol Tirana ka kryer mbrëmjen e sotme ekstradimi nga Stockholmi/Suedi, drejt vendit tonë të Baftjar Brukës, lindur më 20 qershor 1991 në Kukës.
Baftjar Bruka, i cili është daja i Vladimir Gjutës, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar mbi bazën e vendimit nr.80, datë 25.02.2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, i është dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg“, për veprat penale si:
“Vepra për qëllime terroriste“, “Krijim të grupit të strukturuar kriminal“, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal“, parashikuar nga nenet 230, 333/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ku parashikohet dënimi maksimal “Burgim i përjetshëm“.
Shtetasi Baftjar BRUKA dyshohet për vendosjen e bombave me komandim në distancë të vendosura më datën 10.02.2015 në Tiranë, kundër farmacisë në pronësi të shtetasit me Bashkim Tahiri si dhe pranë urës “Vasil Shanto“, tek stacioni i autobuzit.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Stockholmin/Suedi, u bë i mundur arrestimi i tij në Suedi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.