Ekspertiza zvicerane ka ngritur konstatime të forta, që në vitin 2016 një paciente është trajtuar në mënyrë të papërgjegjshme nga mjekët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Sabrie Fazliu, 36-vjeçare nga Prishtina, ka vdekur në janarin e vitit 2016, disa ditë pasi ishte hospitalizuar në QKUK.
Vdekja ishte konsideruar e dyshimtë. Dilema për trajtimin e saj në spital nuk kishte ngritur vetëm familja, por edhe raporte të hartuara nga mjekët e spitalit më të madh publik në vend.
Në fundin e vitit 2021, në Kosovë ka arritur ekspertiza zvicerane, e cila identifikoi gabime të shumta në trajtimin e kësaj pacienteje. Raporti i hartuar në bazë të shkresave nga spitali e deklaratave të punëtorëve shëndetësorë theksin e vendos te doza e parë e gjakut, e cila i ishte dhënë 36-vjeçares.
Posa kishte filluar marrjen e kësaj doze gjaku, raporti thotë se pacientes kishin filluar t’i ndërronin parametrat, por gabimisht mjekja sipas ekspertizës nuk e kishte ndërprerë transfuzionin.
“Së paku në Zvicër është zakon që detyrimisht transfuzionin e ndërprerë të gjakut konkretisht të qeses së gjakut të dërgohen për ekzaminim së bashku me një test të gjakut në Laboratorin e Transfuzionit të gjakut për sqarim të nevojshëm. Znj. Fazliu përveç kësaj është dashur që menjëherë të ekzaminohet nga një mjek kompetent në këtë fushë në lidhje me reaksionin eventual të transfuzionit dhe në rast se ishte vërtetuar një reaksion i transfuzionit ka qenë i nevojshëm trajtimi adekuat”, thuhet në ekspertizën zvicerane.
Në raport citohen deklaratat e shumë personave. Në mesin e tyre edhe të infermiereve të cilët kanë deklaruar që kishin njoftuar mjeken kujdestare që posa kishte filluar ta marrë pacientja dozën e gjakut vlera e parametrave vitalë kishte pasur ndryshim drastik, por që mjekja nuk e kishte ndaluar dhënien e dozës.
Raporti sqaron së çfarë është dashur të bëhet në këtë rast.
“Në shtetin e Zvicrës për shembull – që nuk nënkupton që në Kosovë duhet të jetë njëjtë- në vitin 2016 sipas prof. dr. Zeerleder ka qenë e vlefshme kjo procedurë: Ndalimi i menjëhershëm i transfuzionit, si dhe dhënia e ndihmës mjekësore”, thuhet tutje në ekspertizë
Jo vetën që s’ është ndërprerë dhënia e kësaj doze të gjakut, por sipas ekspertizës qesja e gjakut ka humbur, gjë që e bën të pamundshme vërtetimin në mënyrë të plotë për shkakun e vdekjes.
“Procedura e domosdoshme e paraqitur nga dr. Zeerleder lidhur me ruajtjen e qeses së gjakut dhe të sqarimit të menjëhershëm të ‘’Type and Screen’’ përmes Laboratorit të Mjekësisë transfuzionale me sa duket nuk është bërë në mbrëmjen e datës 20 janar 2016.Përkundër kësaj është vazhduar me dozën e dytë të gjakut. Duke pasur parasysh këtë dështim për të bërë këtë kontroll asnjëherë nuk do të mund të jepet përgjigjja se cili ka qenë dështimi mjekësor dhe/apo ndoshta njerëzor për incidentin gjatë transfuzionit, thuhet në raportin zviceran.
Avokati që e përfaqëson familjen është Adren Hoxha. Ai ka folur për përpjekjen 6-vjeçare të familjes për të vendosur drejtësi për këtë rast.
“Këtë raport e kemi marrë, ne dhe familja. E kemi analizuar, mund të them se i kënaq pritjet tona dhe të Prokurorisë, sepse dyshimi i bazuar ka marrë kuptim të plotë, duke i konstatuar shkeljet apo trajtimet e papërgjegjshme të mjekëve, me theks të veçantë të gjinekologes”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se beson që së shpejti do të ngrihet aktakuzë në këtë rast.
Dyshimet kryesore janë që zonja Fazliu në mbrëmjen e datës 20 janar 2016 nuk ka marrë trajtimin e nevojshëm nga mjekët kujdestarë. Me pas ajo është transferuar në Mjekimin Intensiv, por përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar kanë qenë të paefektshme dhe ajo ka vdekur me datën 24 janar 2016.
Ministria e Shëndetësisë e SHSKUK-ja kanë thënë nuk do të deklarohen deri në përfundimin e hetimeve. /Koha
Ekspertiza zvicerane konstaton trajtimin jo të duhur të mjekëve ndaj 36-vjeçares që vdiq në QKUK
NGA KATEGORIA