Eksperti i ekonomisë për tërheqjen nga Trusti: Shqetësuese mos interesimi i Qeverisë, vetëm artin e qeverisjes nuk e kupton kjo mazhorancë

E publikuar: 26/05/2022 21:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Prishtinë sot është mbajtur një protestë, në të cilën i është bërë thirrje Qeverisë të lejojë tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga trusti, shkruan InfoSot.

Pjesë në këtë protestë ishin edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së.

Ndërsa, deputetë nga opozita janë pro lejimit të një tërheqjes nga Trusti, por pushteti këmbëngul se një gjë e tillë do ta dëmtonte ekonominë e Kosovës.

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për InfoSot thotë se në situata normale institucioni i Trustit është kursim për pleqëri dhe nuk ka logjik ekonomike që do e përkrahte tërheqjen e kursimeve.

“Por duke shpresuar që nuk do kemi dite më të vështira sesa tani vlerësoi që është e udhës të iu ipet mundësia e tërheqjes së qytetarëve kush ka nevojë, pra ata që nuk kanë nevojë nuk kanë me patjetër me i tërheq”, thotë Kadriaj.

Ai, shton se në rrethanat e tanishme jeta e qytetarëve është duke u rënduar me ngritjen e çmimeve në vazhdimësi.

“Në rrethana të tanishme me ngritje të vazhdueshme të çmimeve, njëherit jeta e qytetarit po rendohet dita-ditës, vlerësojë që do ishte e mirëseardhur dhe ka një disponim dhe pritja është e lart nga qytetarët duke shpresuar për një disponim nga ana e deputetëve për të votuar”, shtoi ai.

Sipas tij, është shqetësim mos interesimi i qeverisë dhe injorimi i situatës së tanishme duke shkuar deri në ekstremin e deklarimit që Kosova ka rritje ekonomike.

“Pra një logjikë e tillë deklarimit të lënë për të kuptuar që vetëm artin e qeverisjes nuk e kuptojnë kjo mazhorancë dhe aq më shumë të qeverisësh një shtet që funksionon sipas ekonomisë së tregut dhe me një import me të lartin në rajon, ku jemi vendi me i atakuar për ngritjen e çmimeve, pra një tërheqje e trustit do e rriste fuqinë blerëse dhe do ishte një spirale për te dal nga kriza ekonomike”, përfundoi Kadriaj për InfoSot.

Tërheqja deri në 30 për qind të kursimeve nga qytetarët në Fondin e Kursimeve Pensionale, apo siç njihet ndryshe Trusti ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë.

Propozimin e tillë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Më 16 maj, kjo parti, bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Kujtojmë se në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale./InfoSot/