Ekspertët e sigurisë thonë se nuk duhet të ngritën shqetësime dhe tensione duke paralajmëruar luftë pasi sipas tyre Kosova është vend i qetë me prezencën e KFOR-it.
Krejt kjo duke iu referuar deklarimeve të njëpasnjëshme të kryeministri Albin Kurti se në Kosovë mund të ketë luftë.
Nuredin Ibishi, ekspert i sigurisë në një intervistë për Ekonomia Online po thotë se kryeministri Albin Kurti mund të deklarohet por jo të nxit tensione apo rreziqe për luftë.
Madje sipas tij, duke marrë për bazë prezencën e shteteve më të fuqishme në Kosovë.
“Nuk duhet të hyjmë në agjendën e kryeministrit. Mendoj që është e drejtë e tij të deklarohet pasi që shumë liderë të Ballkanit po trumbetojnë për luftë. Por sido që të jetë nuk duhet me ngrit shqetësime dhe tensione duke paralajmëruar rreziqe dhe kërcënime për luftë, por duhet të parandalohet lufta me qëllim të bashkëpunimit ndërkombëtar. Nuk ka rrezik për një luftë dhe ShBA e NATO dhe BE kanë marrë masa sa i përket armatimit dhe vetë prezencës në pjesën e Ballkanit”.
Ndërsa, për situatën në veri Ibishi tha se duhet të ngritët niveli i sigurisë brenda gjithë sektorëve në aspektin e mbrojtjes sa i përket kërcënimeve ruse.
“Për në veri janë marrë masa të duhura me kohë para se të fillojë zbatimi i reciprocitetit dhe janë të duhura dhe është kthyer patrullimi i rregullt edhe në pjesën jugore. Kemi pjesë të shtuar të KFOR atje she EULEKS dhe mendoj që tereni është mirë i monitoruar. Duhet të ngritët niveli i sigurisë brenda gjithë sektorëve në aspektin e mbrojtjes sa i përket kërcënimeve ruse”, tha Ibishi.
Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli theksoi se luftë klasike me Serbinë nuk mund të ketë sepse forcat e NATO-së janë në Kosovë.
“Luftë klasike me Serbinë nuk mund të ketë sepse forcat e NATO-së janë në Kosovë. Mirëpo këto deklarata të Vuçiqit edhe të djeshme na pohojnë se në Kosovë ai ka pretendime të formave të ndryshme. Një farë lloj agresioni në veri përmes forcave të errëta dhe të Forcave të cilat janë duke i dërguar Vuçiq në Kosovë vetëm brenda një javë dite i kemi dy vetura dhe një shtëpi të serbëve të cilët i kanë ndërruar tabelat në RKS të djegura, që flet që e ashtuquajtura Brigadë e Veriut është duke vepruar përmes formave dhe veprimeve të Vuçiq në veri”.
Sipas tij, zgjidhja është bashkëbisedimi i kryeministrit dhe presidentes me qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë rast me komunitetin serb që të shihet se cilat janë kërkesat e tyre në mënyrë që të ulen edhe tensionet, raporton EO.
“Ne mund të shtojmë forca të sigurisë apo të hapim baza policore e të tjera por kjo mos bindje e qytetarëve të veriut është çështje politike, kjo nuk është më çështje e sigurisë. 35 mijë deri në 40 mijë serb të cilët jetojnë në veri kanë një mosbindje qytetare ndaj Institucioneve të Republikës së Kosovës”.“Ky është problemi. Zgjidhja është bashkëbisedimi i kryeministrit dhe Presidentes me qytetarët e Republikës së Kosovës në këtë rast me komunitetin serb dhe të shohim cilat janë kërkesat e serbëve në Veri dhe pastaj me platforma qeveritare të shihen mundësitë e Qeverisë cilat janë ato në kontekst”, tha Sheholli