Ish-kryeprokurorja Ina Rama, anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi dhe juristi Gent Ibrahimi janë përzgjedhur si kandidatë për t’u zgjedhur gjyqtar i Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtarit aktual.
Zgjedhja do të bëhet me votim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor të këtij viti. Pasi Këshilli i Europës i kërkoi Qeverisë shqiptare paraqitjen e listës me tre kadidatura, u bë edhe thirrja për aplikim, të cilës iu përgjigjen 11 emra.
Komisioni përzgjedhës përbëhet nga Luan Omari, Kristaq Traja, Bashkim Dedja, Artan Hoxha dhe Artur Metani.
Sipas burimeve të Top Channel, pavarësisht emrave të njohur në Komision dhe në përzgjedhje, Qeveria duket se ka vendosur t’i rrijë larg procesit.
Komisioni përzgjedhës thirri kandidatët në një fazë të dytë dhe vetëm 6 prej tyre janë paraqitur. Për shkak të hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetutese, komisioni, veç kërkesave të legjislacionit aktual, u kërkoi kandidatëve që vazhduan garën edhe vërtetimin e dorëzimit të formularit të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit, si dhe kërkoi nga ILDKPKI-së informacion mbi verifikimin e deklarimit të pasurisë.
Në përfundim nuk u skualifikua asnjë nga kandidatët, por për arsye ligjore komisioni ad-hoc propozoi listën me tre kandidatë, Sokol Berberi, Gent Ibrahimi dhe Ina Rama.
Në fazën e parë dhe të dytë kishte shprehur interes dhe kishte aplikuar për këtë post edhe zoti Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetar i Gjykatës së Lartë. Ai ka kërkuar të lerë detyrën duke u përzgjedhur anëtar i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
/ Top Channel