Sinjali sot paralajmëroi për arrestime të reja të personave që dyshohet se janë përfshirë në keqpërdorimet e aseteve të Telekomit.
Në vazhdën e hetimit për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës lidhur me përvetësimin e telefonave mobil në vlerë prej 400 mijë eurosh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar sot edhe Fatbardh Ajvazin, menaxher i kompanisë Zone Mobile L.L.C dhe Gazmend Hysenin, pronari i biznesit Versacop SH.P.K, si të dyshuar për veprat penale: Shmangia nga tatimi, keqpërdorimi, mashtrimi në prokurim publik dhe dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin, shkruan Gazeta Sinjali.
Si mashtruan, keqpërdorën e krijuan dokumentacion fiktiv për të mbuluar veprimet e tyre?
Sinjali sot raportoi për arrestimin e Afrim Pupovcin, pronar i kompanisë “K.KOPEX SH.P.K”, me bazë në Pejë, i cili dyshohet se i ka lëshuar fatura fiktive biznesit “Zone Mobile”, që ishte kontraktor i Ndërmarrjes Publike “Telekomi” për furnizim me telefona mobilë, kontratë që parashihte shitjen e telefonave mobilë në vlerë prej më shumë se 400 mijë euro.
Por çfarë ndodhi para se të krijoheshin këto dokumente fiktive – Si u lidhën kontrata për “furnizimin me telefona mobilë”
I dyshuari Fatbardh Ajvazi në cilësinë e menaxherit në kompaninë Zone Mobile L.L.C, ka lidhur dy kontrata me Telekomin e Kosovës për furnizimin me telefona mobilë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se njëra kontratë është lidhur më 16 janar 2019, në vlerë prej 229 mijë e 715 euro dhe kontrata tjera është lidhur më 21 gusht 2019 në vlerë prej 207.733.
Ajvazi duke vepruar në bashkëpunim edhe me dy zyrtarë të Telekomit, Trim Musliun dhe Armend Osajn, të cilët u arrestuan më 30 mars 2021, dyshohet se nuk ka bërë fare furnizimin e Telekomit të Kosovës me telefona mobilë, sipas kontratës.
Krejt çka ai dhe zyrtarët e Telekomit kanë bërë është krijimi i dokumentacionit fiktiv për këtë furnizim, me qëllim të arkëtimit të pagesave sipas vlerës së kontratave. Kështu Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerë prej 437.488 euro për telefonat që dyshohet se nuk janë pranuar fare nga ky insiti6tucion.
Por kjo nuk është e tëra. Sinjali mëson se Fatbardh Ajvazi në deklarimet tatimore të ATK-së nuk e ka paraqitur shumën e pagesës së pranuar nga Telekomi i Kosovës dhe nuk posedon asnjë dëshmi të importit apo blerjeve të brendshme për telefonat qe gjoja e ka furnizuar Telekomin.
Krijimi i dokumentacionit fiktiv
Fatbardh Ajvazi duke vepruar në bashkëpunim me Gazmend Hysenin, pas fillimit të hetimeve, me qëllim që të mbulojnë veprimet e tyre kanë krijuar dokumentacion fiktiv gjoja për shitblerjen e telefonave ndërmjet kompanisë Versacop SH.P.K dhe ZONE Mobile L.L.C. Ky dokumentacion u krijua në muajin prill 2021 për blerjet e pretenduara të vitit 2019.
Në bazë të dyshimit të bazuar, Sinjali merr vesh se Farbardh Ajvazaj dhe Gazemnd Hyseni janë ndaluar për 48 orë, me vendim të prokurorit.
Por përveç tyre, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë thonë se e dyshuar është edhe Donika Bajrami, bashkëshortja e Fatbardh Ajvazit, e cila në cilësinë e bashkëpronares në Zone Mobile L.L.C pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Arrestimi i katër personave në fund të marsit
Ndryshe, në fund të marsit katër persona ishin arrestuar pasi dyshoheshin për keqpërdorimin e një kontrate mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik.
Në prangat e policisë kanë rënë edhe Kreshnik Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut në Telekom, Trim Musliut dhe Denis Ceman, ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.
Po ashtu nën pranga ishte vënë edhe ish-drejtori i Financave dhe Thesarit, Armend Osaj.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishin mësuar se Musliu po dyshohet se ka falsifikuar shkresat zyrtare dhe ka përvetësuar pasuri të Telekomit, në atë mënyrë që më 21 janar të vitit 2019, ka bërë tërheqjen e 239 aparateve telefonikë celularë, me qëllim të shpërndarjes te klientët e Valës, mirëpo këtë pasuri e ka përvetësuar për vete apo për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shpërndarë te klientët.
Ndërsa, sipas burimeve të Sinjalit brenda prokurorisë, Osaj më 19 shtator 2019 nga depoja e Telekomit ka bërë tërheqjen e 239 aparateve celularë, me qëllim që t’i shpërndajë te klientët e Valës, sipas kontratave paraprake, me gjoja qëllim të rritjes së të hyrave të Valës, mirëpo këto aparate nuk i ka shpërndarë te klientët e paraparë, sipas rregullores, duke falsifikuar shkresën se kinse i ka dorëzuar 38 aparate telefonike Postës së Kosovës, saktësisht personit përgjegjës, Burim Gecit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.