Më 2 mars të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës kishte zhvilluar një aksion, ku kishin bastisur disa shtëpi, lokale e autosallone në shumë qytete të Kosovës, duke arrestuar 15 persona të dyshuar për dhënie të fajdes, detyrim dhe shmangie nga tatimi.
Personat e arrestuar në këtë aksion ishin: Besnik Salihu, Fadil Salihu, Egzon Salihu, Skender Bajrami, Ardi Saraqi, Shefik Rexhepi, Lindrit Haradinaj, Ramiz Ademi, Mujë Ademi, Kadri Gerbeshi, Ajvaz Muzaqi, Bashkim Osmani, Bahri Abazi, Nexhmi Abazi dhe Shukri Haxhiu.
Për të gjithë këta persona të arrestuar asokohe, por edhe për shumë të tjerë të përfshirë në këtë rast, prokurori Rasim Maloku ka ngritur aktakuza nën dyshimin për dhënie të fajdeve, për ngritjen e të cilave Veriu.info ka raportuar ekskluzivisht.
Veriu.info ka siguruar aktakuzën e ngritur nga prokurori Rasim Maloku më 16 dhjetor 2025 ndaj të pandehurit Skender Bajrami, pronar i auto sallon “Alberti”, i cili akuzohet për kryerje të katër (4) veprave penale të fajdes.
Sipas aktakuzës, Skender Bajrami akuzohet se ka dëmtuar me 19 mijë euro biznesmenin Xhevdet Shala, i cili ishte detyruar të blejë nga pronari i auto sallon “Alberti” një veturë “BMW X6” me çmim prej 86 mijë euro, po që të njëjtën menjëherë ia ka shitur të pandehurit për 67 mijë euro, të cilat para i dëmtuari i ka marrë kesh dhe më to ka paguar fajde tek S.S.
Pronari i auto sallon “Alberti” akuzohet se në fillim të vitit 2021 e në vazhdim e ka dëmtuar biznesmenin Xhevdet Shala, i cili kishte obligime nga pagesat e fajdeve te personat e tjerë, pasi që i dëmtuari është detyruar të blejë nga Skender Bajrami një “Taureg” me çmim prej 75 mijë euro, por të njëjtin menjëherë ia ka shitur Skender Bajramit për 46 mijë euro, duke i marrë këto para kesh e me të cilat ka paguar fajde tek i pandehuri S.S.. Pra, brenda ditës Xhevdet Shala ka humbur 29 mijë euro.
Skender Bajrami dyshohet edhe që në vitin 2021 e në vazhdim, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të biznesmenit Samir Bajrami, pronar i kompanisë “Ornela” që kishte obligime nga pagesat e fajdeve te personat e tjerë, duke kontraktuar shumë jo proporcionale të pasurisë. Sipas aktakuzës, Samir Bajrami është detyruar të blejë te Skender Bajrami një “Mercedes GLS2” për 30 mijë euro, të cilin me ndihmën e të pandehurit S.S. e ka shitur në auto sallon “Alberti” me çmim prej 14 mijë euro me kesh, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 16 mijë euro. Sipas prokurorit Rasim Maloku, Skender Bajrami me këtë veprim ka kryer veprën penale fajdeja.
Pika katër e aktakuzës për Skender Bajramin është më e rënda, pasi që akuzohet se për 65 mijë euro borxh i ka marrë të dëmtuarit tri (3) banesa në Prishtinë, vlera reale e tregut në kohën e shitjes së tyre ishte rreth 300 mijë euro.
Sipas aktakuzës së prokurorit Maloku, Skender Bajrami dyshohet se në vitin 2013 e ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare që kishte i dëmtuari Fatlum Krasniqi për shkak të obligimeve të fajdeve ndaj personave të tjerë, duke kontraktuar shumë jo proporcionale të pasurisë, pasi që i ka shitur një veturë në vlerë 80 mijë euro, ku i dëmtuari i ka mbetur borxh 65 mijë euro, por që këtë borxh nuk ka arritur ta paguajë me kohë dhe kështu, pas dita dite Skender Bajrami e ka njoftuar të dëmtuarin se borxhi i është rritur në 200 mijë euro.
Për shkak të këtij borxhi i dëmtuari Fatlum Krasniqi dhe nëna e tij S.K. janë detyruar të lidhin kontratë para noterit për shitblerjen e tri (3) banesave në vlerë prej 200 mijë euro, në të cilën kontratë si blerës është paraqitur A.M. nga Prishtina. Aktakuza thotë se vlera e tregut e këtyre banesave në atë kohë ka qenë 300 mijë euro.
Në këtë aktakuzë të datës 16 dhjetor 2025 gjendet si i pandehur edhe personi i lartëpërmendur me inicialet A.M., nën dyshimin se ka ndihmuar Skender Bajramin për kryerjen e veprës penale fajdeja, pasi që me kërkesë të tij ka lidhur parakontratë fiktive për blerjen e këtyre tri banesave, edhe pse e ka ditur se shitësit janë të detyruar të lidhin këtë parakontratë me qëllim që të paguajnë këtë shumë në emër të fajdes.
Pjesë e kësaj aktakuze në cilësinë e të dyshuarit për kryerjen e veprës penale fajdeja në ndihmë është edhe noteri me inicialet I.A., i cili dyshohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprimeve për shitjen e këtyre tri banesave të Fatlum Krasniqit për llogari të pagesës së borxhit të krijuar me fajde te Skender Bajrami.
Vazhdon….
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm, derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
LEXONI EDHE






















