Bojan Jevtiq, polici i arrestuar sot (e enjte) gjatë aksionit të përbashkët të autoriteteve të Kososvës te Dheu i Bardhë është arrestuar nën dyshimet për veprimtari spiunazhi për llogari te BIA-s serbe, raporton KosovaPress. Arrestimi i Jevtiq është realizuar në orët e para të mëngjesit me autorizim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, pas një hetimi disamujor ndërinstitucional të koordinuar nga AKI, IPK dhe PSRK.
Burime të besueshme nga institucionet e sigurisë në Kosovë kanë konfirmuar për KosovaPress se Jevtiq dyshohet se për vite me radhë ka transmetuar dokumente të klasifikuara policore dhe plane operative te zyrtarë të inteligjencës serbe.
Atij i janë gjetur dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), pjesë e së cilës nuk është Kosova, ndërkohë që janë Serbia dhe Rusia.
Sipas burimeve të njëjta, KosovaPress mëson se pas sulmit në Banjskë, Jevtic ka transmetuar plane operative të ndjeshme që lidhen me sigurinë kufitare.
Ndryshe, Bojan Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh, pasi në një periudhë brenda një vitio, ishin arrestuar edhe pesë të dyshuar tjerë.
Në maj 2024, janë arrestuar Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi. Ata dyshohen si bashkëpunëtorë të BIA-s së Serbisë, me qëllim kryesor shtrembërimin e fakteve historike – kundër Kosovës dhe NATO-s, si dhe të angazhuar edhe për mbledhjen e informacioneve.
Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar edhe Jelena Djukanoviq, bashkëpunëtore e BIA-s së Serbisë, dhe ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Aleksander Vlajiq, në Mitrovicë.
E në maj të ktij viti për spiunazh është arrestuar edhe Hysri Selimi, bashkëpunëtor i BIA-s së Serbisë, si i dyshuar për rritjen e radikalizmit islam në Kosovë dhe mbledhjen e informacioneve./KP

















