Delegacioni me Isa Mustafën në krye do të udhëtojë të martën, me 30 Qershor nga Brukseli drejt në Berlin. Kjo vie si pasojë e negociatave që të hënën pritet të vazhdojnë në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit.
Dhe nga Brukseli rrugët e Mustafës e Thaçit do të ndahen- ndoshta përgjithmonë. Kjo sepse Mustafa në Berlin tek Kancelarja Merkel do të duhet të vjen me rezultate konkrete- për formimin e Gjykatës Speciale të cilën gjermanët janë mëse të interesuar ta shohin të formuar por edhe me kurorëzim të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit. Kancelarja Merkel përndryshe do ta presë vetëm Isa Mustafën në Berlin në kuadër të “turit” të saj ballkanik. Ky fakt vërtetohet sidomos me atë që Merkel vetëm 4 ditë mëpas do të nisë udhëtimin e saj në Ballkan- Beograd, Tiranë dhe Sarajevë duke anashkaluar kështu Prishtinën por edhe Shkupin.
Të gjitha këto fakte tashmë të njohura nuk çudisin aq shumë sa përbërja e delegacionit të Kosovës që do të qëndrojë në Berlin. Gazeta Blic nga burime diplomatike gjermane në Prishtinë merr vesh që Mustafa tashmë palës gjermane ia ka përcjellur edhe “listën” përfundimtare të njerëzve që do të udhëtojnë me të në Berlin të njohur ndryshe edhe si lista “5 + 1″, njofton gazetablic.com.
Pra pos Kryeministrit në delegacion do të jenë edhe Ministrat Avdullah Hoti (LDK) dhe Blerand Stavileci (PDK). Pos kësaj Mustafa është përcaktuar edhe për këshilltarët e tij që do ta përcjellin në kryeqytetin e shtetit më të fuqishëm europianë. Kështu, sipas listës që e ka parë gazetablic.com do të jenë këshilltarët e tij Vlora Dumoshi, Sokol Havolli si dhe Valon Halimi ata që do të jenë pranë Mustafës në vizitën e tij të parë si Kryeministër i Kosovës në Berlin.
Se a do të jenë të pranishëm Ministrat Hoti dhe Stavileci në takimin e Mustafës me Merkelin me datën 30 Qershor (të martën) në ora 12:00 ende nuk dihet. Por ajo që qysh tash dihet është që më shumë se askush tjetër do të jetë Hashim Thaçi ai që do të insistojë që sidomos Blerandi të jetë i pranishëm në atë takim…