Tre liderët e opozitës, ai i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe disa pjesëtarë të shoqërisë civile sot janë takuar edhe njëherë për të parë mundësinë nëse do të mund të gjejnë një zgjidhje për të vazhduar edhe më tej opozita.
Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda opozitës.
“Po, sot janë takuar tre liderët, dhe disa përfaqësues nga shoqëria civile. Në këtë takim pavarësisht përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje për vazhdimin e opozitës së bashkuar, nuk është gjetur asnjë zgjidhjeje”, ka theksuar ky burim.
Sipas këtij burimi, në këtë takim është ndarë përfundimisht opozita e bashkuar.
“Sot, përfundimisht është ndarë opozita e bashkuar”, ka theksuar ky burim për Gazetën Blic.
Ndërkaq, Gazeta Blic ka kontaktuar me zëdhënësin e Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, por ky i fundit nuk ka dashur që të flas për mundësinë e një takimi të tillë.
Në anën tjetër, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se prej sot nuk ka bashkëpunim në mes tri partive opozitare. Ymeri tha se AAK e Nisma kanë vendosur që tash e tutje kundërshtimin e tyre ta vazhdojnë pa Vetëvendosjen. Ky vendim u bë i ditur pas takimit të sotëm të kryetarëve të tri partive opozitare.
Ai në një intervistë në emisionin “Argument Plus” në RTV21 ka thënë se vendimet e njëanshme të AAK’së kanë ndikuar në ftohjen e raporteve në mes opozitës.
“Kemi pasur disa momente të vendimeve të njëanshme kryesisht të AAK-së, të cilat e kanë dëmtuar kauzën tonë të përbashkët. Shkuarja e Haradinajt tek Presidentja ka qenë njëri prej momenteve që e ka dëmtuar kauzën e kundërshtimit dhe rezistencës”, ka thënë Ymeri.
Ai ka ripërsëritur se nuk do ti bashkohen protestës së 14 majit të thirrur nga AAK’ja.
“Nëse nuk ndodh një dakordim i ri ne nuk do të marrim pjesë”, u shpreh Ymeri.
















